Deputeti socialist Blendi Klosi deklaroi në Kuvend se reforma territoriale mund të ishte çuar më tej nëse mazhoranca dhe opozita do të kishin ruajtur konsensusin e nisur gjatë diskutimeve.
Ai tha se vota e tij kishte qenë e “dyzuar” për mënyrën se si reforma po miratohet, por fajësoi Sali Berishën për prishjen e mundësisë për një marrëveshje dypartiake, duke theksuar se PS do ta votojë projektin.
Blendi Klosi: “Një qytetar në Poliçan që të shkruan ty, i nderuari zoti doktor, se aty në Poliçan është një nga ato njësitë që e ka dëshmuar se sa efektive ka qenë reforma 2014.
Mbas 2014-ës, banorët e Këtërpanit, të Mrakullës kanë marrë investime po ashtu si qyteti i Poliçanit. Pra, të nderuar kolegë, jemi sot për të votuar një nga kryereformat, reformën territoriale, e cila nuk është një reformë që merr një votim sot, por është nga ato reforma të cilat kanë shoqëruar të gjithë tranzicionin shqiptar dhe i bashkohem kolegut Mala.
I bashkohem dhe gjithë atyre që folën përpara meje që padyshim ne duhet ta thellojmë këtë reformë dhe vota ime sot, mbase për herë një nga herët e para të qëndrimit tim në Parlament, është dyzuar.
A duhet ta votojmë kështu, apo duhet ta thellojmë reformën? Se realisht, edhe pak kolegë janë këtu. Realisht, në këto tridhjetë e pesë vite ne e kemi bërë këtë debat ndërmjet forcave tona politike.
Nuk është debat i ri. Është debat i filluar nga ’92-shi. Është debati që ka shoqëruar Parlamentin shqiptar. Nuk është hera e parë që votohet reforma territoriale. Të paktën është hera e tretë.
Ka ardhur reforma në vitet 2000 nga ish-ministri i pushtetit lokal, i ndjeri dhe i nderuari Bashkim Fino. Erdhi në Parlament për të pasur një reduktim të numrit të komunave dhe bashkive, për të shkuar në një debat gjithëparlamentar edhe brenda kampit socialist.
Ne votat i kishim atëherë. Nuk e gjetëm konsensusin. Shqipëria mbajti katërqind komuna dhe bashki në vazhdim. Erdhëm përsëri në reformën e 2014-ës. Edhe atëherë kishit mundësinë, shansin, të drejtën të uleshit dhe të diskutonit për reformën territoriale.
Të bënim një gjë konsensuale për të mirën e Shqipërisë. Bojkotuat dhe qëndrimin në 2014 dhe, në mungesë të një mazhorance solide, në mungesë të një konsensusi bipartizan në Parlament, u negociua dhe kishim gjashtëdhjetë e një bashki.
Që, siç e tha edhe kolegu Ulsi, kishim disa propozime, të gjitha më pak se gjashtëdhjetë e një. Po kush ka qenë efekti? Bashkitë e vogla që nuk kanë bërë detyrën që duhet. Bashki të cilat nuk kanë administruar siç duhet të ardhurat.
Bashkitë që nuk kanë kryer funksionet e tyre dhe kjo del në të gjitha analizat që bëhen. Erdhëm tani në këtë votim, i cili realisht e donte votën e këtij Parlamenti të unifikuar për të pasur një qasje krejt të re europiane me pushtetin lokal.
E filluat, hymë në diskutim. Padyshim është një nga proceset. Ne kemi shumë vite në politikë. Hera e parë që socialistët dhe demokratët bashkoheshin në të gjitha qarqet e vendit, uleshin në një sallë, diskutonin me radhë, sa pro, sa kundra, sa me zë të lartë, sa me zë të ulët.
Asnjë konflikt. Kishte një konsensus për këtë diskutim. Kishte konsensus. Në rast se ju do të kishit qëndruar, ne do të kishim sot një reformë të plotë, të mbështetur mbi parime, të mbështetur mbi atë çfarë të gjithë duhet të ndërtojmë dhe njerëzit na besojnë.
Ka diskutim sot. Vini sot njëqind minibashki, bashki më të vogla. Po pse? Ju e dini shumë mirë. Po të kishit dhënë dakordësim politik në këtë histori, do të kishim sot jo shtatë e tetë qytete, po mund të kishim një numër më të madh qytetesh, por të kishim bërë atë që nisëm në fillim, edhe duke u bashkuar drejt një konsensusi bipartizan si asnjëherë tjetër.
Dhe këtu kolegët përfaqësues të Partisë Demokratike, mbase bëj gabim që jua them se do e merrni kështu, po realisht meritojnë një kompliment për punën që kanë bërë, punën që bëjnë deputetët, fundja. Dhe përsëri, kur ne mund të kishim gjetur atë çfarë ishte parimore dhe çfarë duhet të arrijmë, pra një numër më të reduktuar bashkish të mëdha dhe të kishim mundësi të kemi më shumë njësi administrative që bëjnë këtë që po bëjmë tani me qytetet.
Pra, është e vërtetë, mund të kishim shkuar më thellë. Por pse nuk ndodhi? Nuk ndodhi sepse ai njeri që e ka mbajtur politikën tridhjetë e pesë vjet në konflikt, erdhi këtu përsëri dhe krijoi po të njëjtin skenar konfliktual.
Se do humbi shkëlqimin Libohova edhe do e marrë shkëlqimin e Libohovës Gjirokastra. Unë jam gjysmë libohovit vetë. Nuk e humb Libohova shkëlqimin e shekujve, por do të marrë fuqi më të madhe duke qenë bashkë.
Nuk ka ndarje të Shqipërisë si ato që përmendi Sali Berisha, por është mendja e tij e mbrapshtë që do të fusë konflikte ndërmjet krahinave. Ajo është arsyeja pse ne sot po humbim përsëri një mundësi të artë.
Që të votonim të gjithë së bashku. Jo se ne s’kemi votat, ne i kemi votat. Reformën do ta votojmë, por kishim një mundësi të artë që t’u paraqiteshim njerëzve, qytetarëve dhe mos t’i fusnim në konflikt. Të kanë votuar pak vota në Poliçan, më pak do të votojnë.
Ka fituar, ka votuar në Urën Vajgurore tetëdhjetë për qind Partia Socialiste, më shumë do ta votojnë. Mos ki asnjë merak, nuk fiton asnjë votë. Ama Shqipëria do të fitonte. Do të kishim mundësi që të bënim një proces padyshim që mund të thellohet edhe më tej dhe më tej dhe më tej, por ama të kishim një proces për të mirën e qytetarëve.
Ne jemi këtu jo për t’i treguar muskujt njëri-tjetrit. Ato do t’i tregojmë, thashë, pas pak muajsh. Pas gjashtë muajsh jemi në zgjedhje. A duket kjo përgatitje për zgjedhje nga ana juaj? A është kjo përgatitje për zgjedhje nga ana jonë?
Jo fare. Jemi në moment që do të marrim një vendim dhe ne si parti politike marrim vendimin të transformojmë Shqipërinë, ta bëjmë një Shqipëri më të mirë, më të jetueshme, më ekonomike. Nuk i humbasin shkëlqimin qytetet të cilat bëhen së bashku, marrin forcë për të qenë edhe më të shkëlqyera dhe për të pasur më shumë investime.
Nuk ka një nga ish-katërqind komunat dhe bashkitë që sot s’ka marrë më shumë investime. Pse e thua atë? Po pse s’tregon të vërtetën? Pse s’tregon çfarë ka bërë Rruga e Arbrit për gjithë qarkun e Dibrës? Çfarë kanë bërë rrugët, investimet në të gjithë qarkun e Dibrës, që për herë të parë i kthejnë mandatet dhe sot votojnë në mazhorancë Partinë Socialiste.
Pse s’tregon të vërtetën? Si vijnë këto vota, qoftë njerëzit janë të pakënaqur? Si e votojnë? Si e votojnë? Po kjo është gara jonë. Gara jonë është ditën e zgjedhjeve. Debati parlamentar sot duhet të ishte për një Shqipëri më të mirë, për një Shqipëri më të bashkuar, për një Shqipëri me më shumë prosperitet, për një Shqipëri më të gatshme për të hyrë në Bashkimin Europian.
Përsëri u humb shansi historik, sepse nuk do ta merrni kurrë këtë shans për sa kohë drejtoheni nga mendja që krijon vetëm ndarje, nga mendja që krijon vetëm përçarje, nga mendja që do të fusë krahinat në sherr me njëra-tjetrën, nga mendja që mendon se për interesa politike mund të fusë njerëzit në përplasje.
Jo, të nderuar qytetarë, jo, të nderuar kolegë. Ne sot do të votojmë për një Shqipëri më të mirë. Ne sot do votojmë për bashki dhe komuna më të forta. Ne sot do votojmë për t’iu shërbyer qytetarëve kudo që ata ndodhen.
Jo për të pasur një Durrës më të fortë, por për të pasur një Durrës dhe rrethinat e tij të zhvilluara, turistike. Jo për të pasur një Krujë dhe Fushë-Krujë, vetëm qytetet më të forta, por që të gjithë komunitetit t’i shërbehet ashtu siç duhet.
Dhe shifrat janë të tilla që reforma e 2014-ës i ka dhënë bashkive shumë më tepër forcë për të investuar, për të pastruar, për të gjelbëruar, për të futur shërbime në të gjithë territorin, si ato kurrë nuk e kanë pasur.
Kështu pra, ndaj them, ne sot do votojmë. Reforma do kalojë. Doni s’doni ju, reforma do të kalojë, por ne nga dita e parë pas votimit duhet të fillojmë punën për ta bërë atë që kemi premtuar.
Më shumë fuqi, më shumë kompetenca, më shumë decentralizim, qytete më të bashkuara, fshatra më të zhvilluara.”
Lini një Përgjigje