Granit Xhaka është njohur me vendimin e marrë nga Prokuroria Publike, sa i takon çështjes që lidhet me falsifikimin e certifikatës së vaksinës së Covid-it.
Përmes një postimi në “Story”-n e tij në Instagram, kapiteni i Zvicrës deklaron se se Prokuroria e ka dënuar për “marrje të rreme të certifikimit falso” me një gjobë me kushte prej 50 kuotash ditore nga 3000 franga, që konvertohet në 150 mijë franga ose 14,75 milionë lekë.
Megjithatë, ajo çfarë Prokuroria ka konstatuar dhe që shpjegohet në postimin e Xhakës është që ky i fundit nuk duhet të bëjë asnjë shkelje gjatë këtyre dy viteve në mënyrë që dënimi të mos ekzekutohet.
“Disa javë më parë u deklarova personalisht këtu dhe thashë se do të marr përgjegjësinë për vendimin tim. Unë qëndroj prapa kësaj. Pasi dëshmova plotësisht në Prokurorinë Publike, tani është marrë vendimi nga Prokuroria.
Përmes një urdhri penal, unë u dënova për marrjen e rreme të një certifikimi fallco me një gjobë me kusht prej 50 kuotash ditore nga 3,000 franga, me një periudhë me kusht prej dy vitesh.
Kjo do të thotë se dënimi nuk do të ekzekutohet nëse nuk bëj asnjë shkelje gjatë kësaj kohe. Shpenzimet e procedurës i kam paguar tashmë. Unë e pranoj vendimin dhe marr përgjegjësinë. Ju falënderoj për mesazhet e shumta mbështetëse gjatë javëve të fundit. Ato do të thonë shumë për mua”, shkruan Xhaka.
