Mazniku i përgjigjet Braçes: Bashkitë nuk i ushtrojnë disa funksione sepse nuk kanë mundësi

Kreu i Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbër Mazniku, i është përgjigjur kolegut të tij socialist Erion Braçe se përse është i nevojshëm shkrirja e 15 bashkive.
Mazniku tha se sot ka disa bashki që nuk i ushtrojnë funksionet e tyre, jo se nuk duan, por për shkak të tipologjisë dhe strukturës që kanë.
Ai solli si shembull ndryshimin mes Bashkisë së Lushnjës dhe saj të Divjakës, e cila është në projekt për t’u shkrirë.
“Ju keni të drejtë, ka disa funksione të cilat bashkitë nuk i kanë, sepse nuk kanë mundësi për t’i ushtruar. Por ka plot funksione, bashkitë nuk kanë pengesë as nga ligji. Planifikimi urban vendor është një ndër funksionet që bashkitë kanë, Bashkia Lushnjë e bën, Divjaka nuk e bën. Lushnja shpenzon, strehimi social është një politikë që duhet ta bëjë bashkia, nuk e bën. Lushnja merret me strehimin, Divjaka nuk merret. Kujdesi social për të sëmurët është funksion, Lushnja e bën, Divjaka nuk e bën. Transporti publik, të gjitha këto janë funksione, të cilat nuk kanë asnjë pengesë ligjore. Diferenca e vetme është një, unë besoj jashtë mase që kryetari dhe këshilli bashkiak i Divjakës duan t’i bëjnë këto, por e kanë të pamundur për shkak të tipologjisë që kanë”, tha Mazniku.




