Europol godet rrjetin e fuqishëm të trafikut të drogës të lidhur me Ballkanin Perëndimor, arrestohen 50 persona

8 Tetor 2026 | 17:09

Rreth 50 persona janë arrestuar në një aksion policor ndërkombëtar kundër një rrjeti të trafikut të drogës, anëtarët e të cilit janë të lidhur me vendet e Ballkanit Perëndimor, njoftoi të enjten Agjencia Evropiane e Policisë, Europol.

Europol-i tha se të arrestuarit dyshohet se kanë lidhje me vrasje, rrëmbime, të shtëna me armë zjarri dhe sulme me granata dore në gjithë Evropën.

Aksioni kulmoi më 6 tetor me kontrolle në 42 lokacione në Slloveni dhe Spanjë, ndërsa arrestimet u kryen në bashkërendim me një qendër operative në Lubjanë dhe me mbështetjen e Europol-it.

Mes të dyshuarve janë shtetas të Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë, si dhe të Sllovenisë, Bullgarisë, Turqisë dhe Holandës. Në hetim morën pjesë shërbimet policore dhe gjyqësore nga 22 shtete.

Numri më i madh i të dyshuarve u arrestua në Slloveni, gjithsej 34, bëri të ditur Europol-i, ndërsa nga një person u arrestua në Spanjë dhe Kroaci.

Gjatë ditës së fundit të aksionit, policia sekuestroi 66 kilogramë drogë, përfshirë 51 kilogramë kanabis dhe 15 kilogramë amfetaminë, si dhe armë zjarri, stoli dhe para të gatshme, thuhet në njoftim.

Hetimi zbuloi se grupi kriminal fshihte sasi të mëdha narkotikësh në ngarkesa komerciale të mallrave, duke përdorur rrugët e ligjshme të transportit si mbulesë për kontrabandën.

Sipas Europol-it, anëtarët e rrjetit angazhonin kryesisht shoferë nga Sllovenia, Bosnje e Hercegovina dhe Bullgaria, të cilët me kamionë, furgonë dhe automjete bartnin drogën së bashku me mallra të ligjshme.

Për komunikim dhe koordinim, ata përdornin platformat e enkriptuara SKY ECC dhe CryptCom.

Kokaina, kanabisi, amfetamina, MDMA-ja dhe metamfetamina transportoheshin nga Belgjika, Holanda dhe Spanja drejt vendeve të tjera evropiane. Transporti i ligjshëm i mallrave njëkohësisht sillte fitime shtesë dhe ulte kostot e kontrabandës.

Sipas rezultateve të hetimit, EUROPOL-i thekson se dërgesat e drogës të sekuestruara ose mosmarrëveshjet mes anëtarëve të rrjetit shpesh përfundonin me përleshje të dhunshme.

Nga shkurti i vitit 2022 deri në shtator të vitit 2026, autoritetet sekuestruan 253 kilogramë kokainë, 404 kilogramë kanabis, 18.8 kilogramë metamfetaminë dhe 825 gramë MDMA.

U sekuestruan gjithashtu 550 litra anhidrid acetik, një kimikat që përdoret në prodhimin e drogës, armë automatike me silenciator, municion dhe disa pistoleta.

Megjithatë, Europol-i thotë se sasitë e sekuestruara përbëjnë vetëm një pjesë të aktiviteteve të përgjithshme kriminale.

Përmes analizimit të komunikimeve në SKY ECC dhe provave të tjera, hetuesit kanë rindërtuar transporte dhe transaksione të tjera të lidhura me të dyshuarit.

Për këtë arsye, pritet që të dyshuarit të ndiqen penalisht për trafikimin e 2.5 tonëve të tjerë kanabis, 474 kilogramëve kokainë, 104 kilogramëve heroinë, 30 kilogramëve amfetaminë, 11.6 kilogramëve MDMA, nga një kilogram ketaminë dhe hashash, 18.000 tabletave ekstazi dhe 1.000 njësive kërpudhash psikoaktive.

Në njoftim thuhet gjithashtu se Europol-i gjatë hetimit u ofroi policive kombëtare mbështetje analitike dhe operacionale, ndërsa në ditën e aksionit një ekspert i kësaj agjencie dhe një hetues kroat punuan nga qendra e koordinimit në Lubjanë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Dyshime se do të sulmonte bazën ajrore RAF Fairford, lirohet me kusht edhe personi i 6-të i arrestuar në Britani

Policia britanike njoftoi të enjten se britaniku 22-vjeçar, i cili u arrestua me dyshimin për përgatitjen e akteve terroriste si pjesë e një hetimi mbi...
17:09 | 08/10/2026

Bisedimet për paqen, Zelenskyy njofton vizitën e ekipit negociator në SHBA

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të enjten se ekipi negociator i vendit të tij do të vizitojë SHBA-në “nesër ose pasnesër” për bisedime. Duke folur...
16:52 | 08/10/2026

Irani zgjeron sulmet ndaj anijeve tregtare përtej Ngushticës së Hormuzit, goditen 2 cisterna

Forcat e armatosura të Iranit goditën dy anije cisterna jashtë Ngushticës së Hormuzit brenda 24 orëve këtë javë, në atë që dukej të ishte një...
16:42 | 08/10/2026