AKTUALITET /

VIDEO/ Përfundoi në qeli me foshnjën 4-muajshe pas dënimit për mashtrim, GJKKO liron Greta Gjocin. Jashtë e pret bashkëshorti

Greta Gjoci është një nga gjashtë gratë e dënuara si pjesë e grupit të Bruno Çobos. Pesë prej grave i janë drejtuar GJKKO-së me kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të dënimeve

Shkruar nga Versus

VIDEO/ Përfundoi në qeli me foshnjën 4-muajshe pas dënimit

Greta Gjoci, e cila një ditë më parë u dërgua në qeli së bashku me foshnjën e saj 4-muajshe, është liruar nga GJKKO.

Vendimi është marrë sot nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas kërkesës së depozituar nga mbrojtja e saj për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit.

Gjoci është dënuar me 6 vite e 8 muaj burg për mashtrim kompjuterik, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet se mashtronte shtetas italianë përmes Call Center-ave.

Ajo u dërgua në burgun e Pojskës në Korçë së bashku me foshnjën e saj, e cila është vetëm 4 muajshe. Nëna dhe fëmija u vendosën në seksionin e posaçëm të institucionit të vuajtjes së dënimit, ku ndodhet edhe çerdhja.

Greta Gjoci është një nga gjashtë gratë e dënuara si pjesë e grupit të Bruno Çobos. Pesë prej grave i janë drejtuar GJKKO-së me kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të dënimeve, duke iu referuar fëmijëve të mitur dhe rrethanave familjare.

Kërkesa e mbrojtjes së Gjocit ishte depozituar më 5 tetor, në të njëjtën ditë kur Apeli i GJKKO-së la në fuqi dënimet me rreth 110 vite burg për 16 të pandehurit e grupit të Bruno Çobos.

Pas vendimit të sotëm, Gjoci nuk do të qëndrojë aktualisht në burg me foshnjën e saj. Sipas vendimit, ekzekutimi i dënimit do të shtyhet, ndërsa ajo pritet të rikthehet në burg pas një viti./Versus.al

 

Poll