Braçe në Kuvend: Kjo nuk është Reformë, por vizatim i një harte! Po ndryshoni jetën dhe planet e njerëzve

8 Tetor 2026, 17:25Politika TEMA
Braçe në Kuvend: Kjo nuk është Reformë, por vizatim i

Deputeti socialist Erion Braçe, në fjalën e tij në Kuvendin e Shqipërisë, foli sërish kundër Reformës Administrativo-Territoriale, e cila sot është në rendin e ditës.

Braçe tha se kjo nuk është reformë territoriale, por thjesht një hartë. Sipas tij, qytetarëve iu premtua një reformë Territoriale, jo ndryshim kufijsh.

Braçe theksoi gjithashtu se ky ligj për Reformën territoriale do të ketë ndikim në jetën e qytetarëve.

“Im atë lindi 82 vite më parë në Lozhan, në Bashkinë Maliq. Një krahinë që lirinë dhe luftën kundër Fashizmit dhe Nazizmit e ka krenari prej ADN-së. Bashkë me tim atë lindën dhe dy xhaxhallarët e mi. Ime më lindi në Libohovë, në një qytet me Kala, jo për t’i bërë karshillëk Gjirokastrës, por për të demonstruar nderin, se lirinë nuk negociojmë me askënd. Unë linda në Kombinat, dhe po e them kështu sepse Tirana e shtynte Kombinatin në këtë mënyrë, një qytet industrial të lënë mënjanë, i ngritur në funksion të Kombinatit. Po e theksoj këtë fakt, se e kuptoj fare qartë çdo qytet që u ngrit për shkak të industrisë. Për shkak të vendimmarrjes dhe votës bënë që unë të zgjidhem deputet për herë të parë në Poliçan, nga njerëz që jo vetëm më strehuan, por edhe më mbrojtën. Poliçanin nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë kur në 92-in, njësoj si sot, kundërshton arritjen e punës, mbylljen e Kombinatit, mundësinë e tyre të jetesës. Për 17 vite me radhë Poshja, Kutallia, Berati në tërësi më dhanë punën, nderin e pafund për të përfaqësuar ata. Më tej për 12 vite me radhë të tjerë njerëz në Divjakë, Lushnjë, më dhanë nderin t’i përfaqësoj duke punuar me ta, për ta, unë kam jetuar me këta njerëz. Unë jam pafund mirënjohës. Kush mirënjohjen se njeh, lidhjen me këta njerëz se ka kuptuar. Nuk është as emocionale as folklorike, është marrëdhënie njerëzore, kush nuk e ka se kupton kurrë. Me territorin janë bërë eksperimente pas eksperimenteve. Kam qenë këtu në këtë parlament kur kryetarët e Bashkive u bënë deputetë, kur zonat elektorale kaluan kufijtë e bashkive. Unë s’e kam mohuar kurrë nevojën për reformë të plotë të pushtetit vendor. Qeverisja qendrore për shkak të definicioneve kushtetuese, por dhe keqqeverisjes larg nga qytetari. Ky pushtet është pranë tij, ai është pushteti i qytetarit. Reforma në këtë nivel është e domosdoshme, ky që kemi parë është një ligj që vizaton një hartë të re elektorale. Kam dëgjuar këto ditë se kemi patur angazhim në zgjedhjet e 2025, por për reformë, jo për hartë. E kam dëgjuar disa herë se harta është mundësi i votave, kështu ka qenë nga 1992-i, kështu ishte dhe në 2014-ën, ndaj jemi sot këtu. Më e keqja është se këtu jemi edhe sot. Edhe kjo hartë që do të ndryshojë edhe njëherë do të marrë fuqi në 2031. Unë mendoj se qëndrueshmëria e reformave nuk vjen nga vota, vjen nga parimet. Parimet janë shkelur, nuk janë bazuar njëlloj kudo. Përse na tolerohet ne kjo? Ne me këtë ligj do ndryshojmë jetën e njerëzve në 15 bashki, jo kufijtë e tyre. Ndryshojmë jetën e njerëzve edhe në bashkitë që ato po përthithin. Kaq lehtë e marrim ne ndryshimin e jetës së njerëzve, ata kanë bërë plane për jetën e tyre, familjet e tyre, fëmijët e tyre. Bie dakord me shënimin e një kolegu që populli ushtron pushtetin përmes përfaqësimit të përfaqësuesit të zgjedhur me votë. Që të ndodhë kjo duhet transparencë efektive, jo thjeshtë hedhje të ca letrave atje matanë. Transparencë efektive nuk ka patur dhe jo thjeshtë për shkak të ndarjes partiake, por as në nivel grupi, siç Komisionet parlamentare, Komisioni i Ekonomisë, ku kriterët e këtij ligji janë me karakter ekonomik dhe financiar. Mes lumit të informacionit që nuk u nda me ne, do ishte e udhës që informacionet të ndaheshin korrekt”, tha Braçe.

Po ashtu Erion Braçe akuzoi Arbër Maznikun se nuk ka thënë të vërtetën e plotë dhe nuk ka qenë korrekt.

“Të dëgjova Arbër, nuk ishe korrekt me çfarë the. 46 kompetenca kanë bashkitë, një pjesë e madhe janë formale, për mos thënë janë banale, këto kompetenca u transferuan pa buxhet”, tha Braçe.

Ndërkohë deputeti socialist vijoi më tej të fliste në foltore, por pa mikrofon, i cili iu mbyll për tejkalim të kohës.

Lini një Përgjigje