Kur Bayern Munich shpenzoi rreth 60 milionë euro në verën e vitit 2024 për të transferuar Michael Olise nga Crystal Palace, lëvizja u pa si një investim strategjik për të ardhmen.
Sot, dy vite më pas, skenari ka ndryshuar rrënjësisht: anësori francez është shndërruar në një nga lojtarët më të vlefshëm në tregun evropian, me një kuotim që e kalon shifrën e 200 milionë eurove.
I ndërgjegjshëm për cilësinë dhe peshën e lojtarit në skuadër, klubi bavaraz nuk ka asnjë synim të heqë dorë lehtësisht prej tij. Raportimet nga media franceze bëjnë të ditur se për të bindur Bayernin të hyjë në negociata për shitjen e tij, do të nevojitej një propozim zyrtar prej 200 deri në 250 milionë eurosh — një shumë që do ta rendiste automatikisht Olise në elitën e transferimeve më të shtrenjta në historinë e futbollit.
LEXO EDHE: Zidane “çmendet” pas golit të Olises, ajo që bëri në vijën anësore bëhet virale…
Aktualisht, kontrata e 24-vjeçarit skadon në vitin 2029 dhe nuk përmban asnjë klauzolë lirimi, çka i jep gjermanëve kontroll të plotë mbi kartonin e tij. Për të shpërblyer paraqitjet e tij dhe për të blinduar të ardhmen, drejtuesit e Bayernit po përgatisin një zgjatje të bashkëpunimit deri në vitin 2032. Me kontratën e re, Olise do të ngjitej në kategorinë e më të paguarve të ekipit, krah emrave si Harry Kane dhe Jamal Musiala, me një pagë neto prej 25 milionë eurosh në vit.
Megjithatë, bisedimet mes palëve pritet të kenë një pikë të nxehtë diskutimi. Rrethi i afërt i lojtarit kërkon që në marrëveshjen e re të përfshihet domosdoshmërisht një klauzolë lirimi, detaj ky që mund të diktojë të gjithë rrjedhën e negociatave në vazhdim.
LEXO EDHE: Ndeshja vendimtare për Ligën e Kombeve, dalin në shitje biletat për Shqipëri-Finlandë! Çmimet…