Ministrja Kumbaro: Kufijtë administrativë nuk duhet të pengojnë zhvillimin e territoreve

Ministrja e Arsimit dhe drejtuesja politike e PS-së në qarkun e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro, deklaroi në Kuvend se reforma e re administrative nuk duhet të shihet si një kërcënim për identitetin e komuniteteve, por si një mundësi për të bashkuar burimet dhe potencialet e territoreve. Gjatë diskutimeve për ndarjen e re territoriale, Kumbaro u ndal veçanërisht te Libohova, duke argumentuar se zhvillimi i saj nuk ka qenë i lidhur domosdoshmërisht me statusin e bashkisë.

Pavarësisht statusit administrativ, Libohova ka vuajtur për një kohë të gjatë nga izolimi ekonomik dhe institucional. “Për ta nxjerrë Libohovën time nga hija e mosdijes kolektive, por sidomos për ta nxjerrë nga izolimi total ekonomik, zhvillimor e institucional, statusi administrativ bashki nuk na kishte ndihmuar asnjëherë”, deklaroi Kumbaro. Ajo vlerësoi se ndryshimet e viteve të fundit kanë ardhur si rezultat i investimeve konkrete në infrastrukturë dhe shërbime, duke përmendur ndërhyrjet në hapësirat publike, trashëgiminë kulturore, ujësjellësit, kanalet vaditëse, shkollat dhe qendrat shëndetësore.

Për Kumbaron, investimet nuk duhet të varen nga fakti nëse një territor është bashki më vete apo pjesë e një njësie më të madhe, por nga nevojat e banorëve dhe mundësitë që ai territor ofron për zhvillim. “Libohova është në të vërtetë një bashki e vogël, ndoshta edhe më e vogla në qark. Por ajo që ka rëndësi është se njerëzit e saj jetojnë, punojnë dhe bashkëveprojnë pa kufij administrativë”, tha ajo. Ministrja solli si shembull marrëdhëniet ekonomike dhe sociale mes Libohovës, Dropullit, Gjirokastrës dhe zonave përreth. Ajo përmendi sektorë si bujqësia, turizmi dhe agroturizmi, ndërsa theksoi se edhe tregu i punës funksionon përtej kufijve zyrtarë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në këtë kuadër, Kumbaro përmendi edhe grantin prej 261 milionë lekësh për rehabilitimin e sistemit të vaditjes dhe kanalit kryesor vaditës që furnizon fushat e luginës së Libohovës, Drinos dhe Nepravishtës, duke e cilësuar si një shembull konkret të një ndërhyrjeje që kërkon bashkëpunim territorial. Sipas saj, zhvillimi i turizmit po krijon gjithashtu mundësi të reja për zonën, me shtimin e strukturave të akomodimit dhe investimeve nga sipërmarrës vendas dhe emigrantë të kthyer. “Libohova sot nuk është vendi i mungesave, është vendi i mundësive. Dhe, të jemi realistë, është zhvillimi ekonomik ai që na e ruan më mirë identitetin”, u shpreh Kumbaro.

Swiss Digital Mobile Reklama

Duke iu referuar reformës administrative, ministrja tha se ndryshimi i organizimit territorial nuk duhet interpretuar si zhdukje e identitetit të Libohovës. Sipas saj, synimi është që territori të trajtohet në mënyrë më të integruar, duke bashkuar kapacitetet dhe burimet njerëzore. “Libohova është pjesë e një territori që duhet të zhvillohet si një tërë, duke bashkuar forcat, duke pasur një plan zhvillimi ekonomik e infrastrukturor dhe duke administruar më mirë kapacitetet dhe burimet njerëzore”, deklaroi ajo. Kumbaro garantoi se ndryshimi administrativ nuk do të cenojë identitetin e qytetit dhe as përfaqësimin e tij në strukturat vendore. “Libohova mbetet qytet falë zhvillimit që mbron identitetin. Nuk ndryshojnë shërbimet, përkundrazi zgjerohen ato, me përfaqësimin e vet dinjitoz në këshillin bashkiak dhe me kryetarin e qytetit të Libohovës”, përfundoi ministrja.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?