Justina Shiroka Pula u zgjodh Presidente me 81 vota pro gjatë një seance të jashtëzakonshme, e cila u mbajt në çastet e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Të lidhura
None found
Kundërkandidate e saj ishte deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ndërsa propozimi për Shiroka Pulën erdhi nga kryeministri Albin Kurti, i cili iu drejtua PDK-së në orën e fundit të 6 tetorit.
Presidentja u votua me pjesëmarrjen e deputetëve të mazhorancës dhe të partisë së dytë opozitare, PDK-së, por prania në sallë e përfaqësuesve të LDK-së, partisë së tretë opozitare, tërhoqi vëmendje të veçantë.

Disa deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës morën pjesë në votim, të cilët ishin pajtuar me LVV-në për kandidaturën e Bekim Sejdiut, por nuk arritën të siguronin mbështetjen e gjashtë deputetëve të tjerë brenda partisë së tyre.
Analisti politik Milazim Maraj e cilësoi zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës si një përfundim pozitiv pas një periudhe të zgjatur tensionesh dhe konfliktesh politike që pasuan zgjedhjet.
Sipas Marajt, pavarësisht zhvillimeve të fundit, zgjedhja e Presidentes parandaloi një skenar të ri krize institucionale, duke paralajmëruar se vazhdimi i bllokadës mund ta çonte vendin drejt një cikli tjetër tensionesh dhe dëmesh politike e ekonomike.
Megjithatë, analisti shtron pyetjen nëse gjithë kjo krizë politike ishte e domosdoshme, duke ia atribuar një pjesë të përgjegjësisë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Maraj thekson se aftësia politike nuk matet vetëm me inteligjencë, por edhe me mençuri dhe aftësi për të krijuar klimë bashkëpunimi, diçka që sipas tij nuk ndodhi në këtë proces.
Ai përmend edhe rastin e mospropozimit të Kujtim Shalës për nënkryetar të Kuvendit dhe mospranimin fillestar të kandidatit të LDK-së për President, duke e cilësuar këtë qasje si pjesë të një serie veprimesh që dëmtuan besimin politik ndërmjet partive.
Duke folur për LDK-në, Maraj thotë se pranimi i Bekim Sejdiut si kandidat për President tregoi gatishmëri për kompromis, por kjo çështje shkaktoi edhe përçarje të brendshme në këtë subjekt politik.
Ai rikujton edhe qëndrimin e shprehur nga disa zëra brenda LDK-së, se më mirë të qëndrojnë në opozitë sesa të bëhen pjesë e një qeverisjeje ku do të varen nga Albin Kurti.
Ndërkohë, për LVV-në, Maraj është kritik ndaj mënyrës së funksionimit të brendshëm të partisë, duke pretenduar se vendimmarrja është e përqendruar rreth liderit të saj.
Maraj komentoi edhe rolin e PDK-së në zhvillimet e fundit parlamentare, duke thënë se kjo parti e konsideroi miratimin e ligjit në lexim të dytë si një sukses politik dhe si dëshmi se i kishte realizuar kërkesat e saj përballë pushtetit.
Sipas tij, LDK fitoi atë që fituan të gjithë dhe humbi një ofertë të lodhur, ndërsa thekson se e rëndësishmja është që u zgjodh Presidentja, femër, akademike, madje kryetarja e Akademisë së Shkencave të Kosovës.
Analisti politik Nexhat Haziri ka kritikuar mënyrën se si është zhvilluar procesi i zgjedhjes së Presidentes, duke vlerësuar se ky proces që nga fillimi është ndikuar nga kalkulime politike të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nga përplasjet e brendshme në LDK.

Sipas Hazirit, mosmarrëveshjet dhe rivaliteti brenda LDK-së janë shfrytëzuar politikisht për ta dobësuar këtë subjekt dhe për të faktorizuar grupe të caktuara brenda tij.
Duke u ndalur te kandidatura e Bekim Sejdiut, analisti thotë se paraqitja e tij si rezultat i një marrëveshjeje mes LVV-së dhe LDK-së nuk ishte pasqyrim real i zhvillimeve brenda kësaj partie.
Haziri vlerëson se prapa kësaj marrëveshjeje kishte edhe kalkulime për faktorizimin e figurave të caktuara politike brenda LDK-së, duke përmendur në veçanti Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin.
Sipas tij, kandidatura e Sejdiut nuk mund të konsiderohej si një kandidaturë e dalë nga vendimmarrja e LDK-së, por si rezultat i një ujdie politike mes LVV-së dhe dy figurave të kësaj partie.
Ndërkaq, për zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës në krye të Presidencës, Haziri thotë se ajo erdhi si rezultat i një marrëveshjeje mes LVV-së dhe PDK-së, duke e lënë LDK-në jashtë një procesi vendimtar politik.
Në fund, Haziri vlerëson se LDK-ja aktualisht ndodhet përballë një situate të vështirë politike, ndërsa zgjedhjet e brendshme të partisë, që pritet të mbahen vitin e ardhshëm, mund të jenë përcaktuese për të ardhmen e saj.





