Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, ka konfirmuar se do të rikandidojë për një mandat të fundit në krye të organizatës europiane të futbollit, duke ndryshuar vendimin e mëparshëm për të mos kërkuar një tjetër mandat.
Čeferin ua ka komunikuar vendimin presidentëve dhe sekretarëve të përgjithshëm të 55 shoqatave anëtare të UEFA-s. Sipas organizatës, gjatë muajve të fundit federatat kombëtare i kanë kërkuar unanimisht presidentit të rishqyrtojë qëndrimin e tij dhe të vijojë në drejtimin e UEFA-s.
Kërkesa është pranuar nga Čeferin, i cili ka konfirmuar kandidaturën për rizgjedhje në Kongresin e 51-të të Zakonshëm të UEFA-s, që do të zhvillohet më 22 prill 2027 në Astana të Kazakistanit.
“Dua të falënderoj shoqatat kombëtare për besimin e tyre. Në vitet e fundit, jemi përballur me sfida të jashtëzakonshme dhe e kemi bërë këtë si një ekip i bashkuar. Ka ende shumë punë të rëndësishme për t’u bërë dhe për këtë arsye e kam pranuar kërkesën e tyre”, u shpreh Čeferin.
Presidenti i UEFA-s theksoi se objektivi i tij kryesor mbetet ruajtja e unitetit të futbollit europian dhe forcimi i organizatës.
“Ambicia ime mbetet e njëjtë: ta mbaj futbollin europian të bashkuar, ta bëj sportin tonë më të fortë dhe ta lë UEFA-n gati për gjeneratën e ardhshme”, tha ai.
Čeferin shprehu gjithashtu mirënjohjen ndaj familjes së tij për mbështetjen që i ka dhënë në vendimin për të vijuar në krye të UEFA-s.
Në takimin e zhvilluar në Berlin është diskutuar edhe e ardhmja e qeverisjes dhe lidershipit të FIFA-s. Sipas UEFA-s, 55 shoqatat kombëtare europiane, me përjashtim të Federatës së Futbollit të Azerbajxhanit, kanë rënë dakord për një drejtim të përbashkët lidhur me reformimin e FIFA-s.
Federatat kanë shprehur pakënaqësi ndaj lidershipit aktual të organizatës botërore dhe kanë kërkuar ndryshime më të thella institucionale.
Në deklaratën e tyre, shoqatat europiane theksojnë se reforma institucionale nuk është e mjaftueshme në vetvete dhe se FIFA ka nevojë edhe për një lidership të ri. Sipas tyre, drejtuesi i ardhshëm duhet të jetë një figurë e respektuar dhe unifikuese, me përvojë të gjerë në futboll, vizion dhe aftësi për të fituar besimin e të gjitha rajoneve.
Federatat europiane kërkojnë gjithashtu që drejtimi i FIFA-s të ketë një angazhim të qartë ndaj zhvillimit, reformës, integritetit dhe pavarësisë së organizatës.
Një tjetër takim i 55 shoqatave kombëtare të UEFA-s pritet të zhvillohet deri më 17 nëntor 2026, ku diskutimet pritet të përqendrohen sërish te e ardhmja e qeverisjes së futbollit europian dhe atij botëror.


