Prokuroria e Fierit ka kërkuar dhe Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar masa sigurie për 14 persona, të dyshuar se ushtronin veprimtari të këmbimit valutor pa licencën përkatëse të Bankës së Shqipërisë.
Sipas Prokurorisë, hetimi është zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 617 të vitit 2026, për veprën penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, të parashikuar nga neni 170/ç i Kodit Penal.
Në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe duke përdorur metoda speciale të hetimit, autoritetet thonë se kanë dokumentuar 14 raste të subjekteve tregtare që dyshohet se ushtronin aktivitet në fushën e këmbimit valutor pa licencën e nevojshme.
Për 11 prej personave nën hetim gjykata ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”. Ata janë E. Dh., H. Sh., E. I., A. I., L. T., L. Z., F. D., Ç. S., V. B., D. A. dhe R. S.
Për A. K. dhe ZH. Z. janë caktuar masat “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, ndërsa për J. G. është vendosur masa “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në subjektet tregtare të dyshuara për aktivitet të palicencuar, si dhe në banesat e administratorëve, janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme.
Sipas Prokurorisë së Fierit, janë sekuestruar 4,461,000 lekë, 92,390 euro, 8,215 paund britanikë, 220 franga zvicerane, 30 lira turke dhe 45 dirhamë.
Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar edhe sende të tjera që dyshohet se përbëjnë prova materiale. Mes tyre janë një armë sportive tip pistoletë me zara plastikë, një armë antike tip pistoletë, një mjet i mprehtë antik me këllëf dhe një tjetër mjet i mprehtë metalik me bisht druri.
Prokuroria Fier bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar të paligjshëm, përcaktimin e rolit dhe përgjegjësisë së secilit prej personave nën hetim, si dhe administrimin dhe vlerësimin e provave të mbledhura.
Personat e përmendur janë nën hetim dhe masat e sigurimit janë caktuar në kuadër të këtij procedimi penal.


