Rreth 50 persona janë arrestuar në një operacion ndërkombëtar kundër një rrjeti të trafikut të narkotikëve, anëtarët e të cilit dyshohet se kishin lidhje me vendet e Ballkanit Perëndimor. Lajmi është bërë i ditur nga Agjencia e Bashkimit Europian për Bashkëpunimin në Zbatimin e Ligjit, Europol.
Sipas Europol-it, të dyshuarit dyshohet se janë përfshirë në aktivitete të rënda kriminale, përfshirë vrasje, rrëmbime, të shtëna me armë zjarri dhe sulme me granata dore në vende të ndryshme të Europës.
Operacioni kulmoi më 6 tetor, me kontrolle në 42 lokacione në Slloveni dhe Spanjë. Arrestimet u koordinuan nga një qendër operative në Lubjanë, me mbështetjen e Europol-it.
Mes personave të dyshuar janë shtetas të Bosnje-Hercegovinës, Serbisë, Sllovenisë, Bullgarisë, Turqisë dhe Holandës. Në hetim morën pjesë autoritete policore dhe gjyqësore nga 22 shtete.
Numri më i madh i arrestimeve u krye në Slloveni, ku u vunë në pranga 34 persona. Nga një arrestim u krye në Spanjë dhe Kroaci, ndërsa 11 të dyshuar të tjerë ishin arrestuar më herët, gjatë një hetimi që kishte zgjatur disa vite.
Gjatë ditës së fundit të operacionit, autoritetet sekuestruan 66 kilogramë lëndë narkotike, përfshirë 51 kilogramë kanabis dhe 15 kilogramë amfetaminë. Gjithashtu u sekuestruan armë zjarri, bizhuteri dhe shuma parash.
Hetimi ka zbuluar se grupi kriminal fshihte sasi të mëdha droge në ngarkesa komerciale, duke përdorur transportin e ligjshëm të mallrave si mbulesë për kontrabandën.
Sipas Europol-it, rrjeti përdorte kryesisht shoferë nga Sllovenia, Bosnje-Hercegovina dhe Bullgaria, të cilët transportonin narkotikët me kamionë, furgonë dhe automjete të tjera, të përzier me mallra të ligjshme.
Për komunikimin dhe koordinimin e veprimtarisë kriminale, anëtarët e rrjetit përdornin platformat e enkriptuara SKY ECC dhe CryptCom. Kokaina, kanabisi, amfetamina, MDMA-ja dhe metamfetamina transportoheshin nga Belgjika, Holanda dhe Spanja drejt vendeve të ndryshme europiane. Përdorimi i transportit të ligjshëm të mallrave u mundësonte gjithashtu të siguronin të ardhura shtesë dhe të ulnin kostot e kontrabandës.
Dërgesat e humbura, shkak për përplasje të dhunshme
Sipas rezultateve të hetimit, sekuestrimi i dërgesave të drogës apo mosmarrëveshjet mes anëtarëve të rrjetit shpesh përfundonin në episode dhune.
Hetuesit e lidhin grupin me disa të shtëna me armë zjarri, vrasje, tentativa vrasjeje, si dhe me rrëmbimin e një prej anëtarëve të organizatës.
Në disa prej sulmeve janë përdorur edhe mjete shpërthyese, përfshirë granata dore, ndërsa objektiva kanë qenë anëtarë të rrjetit kriminal dhe familjarë të tyre. Sipas autoriteteve, dhuna përdorej për të rikuperuar humbjet, për të ndëshkuar personat që konsideroheshin përgjegjës për dështimin e dërgesave dhe për të ruajtur kontrollin brenda organizatës.
Gjatë hetimit është dokumentuar gjithashtu një tentativë vrasjeje në Spanjë.
Nga shkurti i vitit 2022 deri në shtator të vitit 2026, autoritetet kanë sekuestruar 253 kilogramë kokainë, 404 kilogramë kanabis, 18.8 kilogramë metamfetaminë dhe 825 gramë MDMA.
Gjithashtu janë sekuestruar 550 litra anhidrid acetik, një substancë kimike që përdoret në prodhimin e narkotikëve, si dhe armë automatike me silenciator, municion dhe disa pistoleta.
Megjithatë, Europol thekson se sasitë e sekuestruara përfaqësojnë vetëm një pjesë të aktivitetit të përgjithshëm kriminal të rrjetit.
Përmes analizimit të komunikimeve në SKY ECC dhe provave të tjera të mbledhura gjatë hetimit, autoritetet kanë mundur të rindërtojnë edhe transporte dhe transaksione të tjera të lidhura me të dyshuarit.
Si rezultat, personat nën hetim pritet të përballen edhe me akuza për trafikimin e rreth 2.5 tonëve kanabis, 474 kilogramëve kokainë, 104 kilogramëve heroinë, 30 kilogramëve amfetaminë, 11.6 kilogramëve MDMA, si dhe nga një kilogram ketaminë dhe hashash. Hetuesit kanë identifikuar gjithashtu 18 mijë tableta ekstazi dhe 1 mijë njësi kërpudhash psikoaktive.
Autoritetet kanë zbuluar edhe 45 litra vaj të destinuar për prodhimin e amfetaminës.
Gjatë hetimit, Europol u ka ofruar autoriteteve kombëtare mbështetje analitike dhe operacionale. Në ditën e operacionit, një ekspert i Europol-it dhe një hetues kroat kanë punuar nga qendra e koordinimit në Lubjanë, prej nga janë bashkërenduar në kohë reale arrestimet dhe veprimet e hetuesve në disa shtete europiane.


