
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka paralajmëruar për reshje intensive shiu gjatë pasdites së sotme, 8 tetor, dhe gjatë ditës së nesërme, 9 tetor, në disa qarqe të vendit.
Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), reshjet pritet të jenë intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Shkodër dhe Lezhë, ndërsa në qarkun Durrës parashikohen reshje intensive.
Në qarqet Kukës, Dibër dhe Tiranë priten reshje me intensitet mesatar deri lokalisht intensiv. Në pjesën tjetër të vendit, reshjet do të jenë kryesisht me intensitet të dobët deri mesatar.
Sipas AKMC-së, në shumicën e qarqeve reshjet pritet të shoqërohen me shtrëngata dhe mund të sjellin vërshime uji në zonat urbane, përmbytje lokale dhe rrëshqitje dherash.
Rreziku më i lartë paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës.
Përballë situatës së parashikuar, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin lëvizjet pranë lumenjve, përrenjve dhe zonave të rrezikuara.
Autoritetet këshillojnë gjithashtu qytetarët të mos kalojnë në rrugë të përmbytura dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, si dhe udhëzimet e autoriteteve vendore dhe strukturave të mbrojtjes civile./Versus,al

