
Kuvendi pritet të votojë sot reformën e re administrativo-territoriale, e cila parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes shkrirjes dhe bashkimit të 15 njësive vendore. Për miratimin e saj nevojiten 84 vota.
Në fokus të votimit është dhe qëndrimi i deputetit socialistë Erion Braçe ndërsa deputeti i PS Vullnet Sinaj ka ndryshuar qëndrim dhe ka votuar pro gjatë mbledhjes së sotme të grupit të PS-së.
Në seancën plenare pritet të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa jashtë Kuvendit opozita dhe mbështetësit e saj kanë zhvilluar protestë kundër hartës së re territoriale.
Me afrimin e votimit, protestuesit janë mbledhur sërish pranë godinës së Kuvendit. Forcat e policisë kanë vendosur kordon sigurie dhe kanë kufizuar afrimin e protestuesve demokratë drejt perimetrit të sigurisë.
Reforma territoriale është kundërshtuar nga opozita, e cila ka kërkuar tërheqjen e projektit. Ndërkohë, mazhoranca ka mbrojtur propozimin për reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Votimi i sotëm do të përcaktojë nëse harta e re territoriale do të marrë shumicën e cilësuar prej 84 votash të kërkuara në Kuvend./Versus.al

