Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Protesta sot para Kuvendit, policia del me REAGIM: Përdorëm spraj se na detyruan, tetë persona i kemi në komisariat

Shkruar nga Newsbomb
Protesta sot para Kuvendit, policia del me REAGIM: Përdorëm spraj se
Çast nga protesta

Policia e Shtetit ka reaguar pas tensioneve të shënuara gjatë protestës së zhvilluar sot para Kuvendit të Shqipërisë, ku pati përplasje mes protestuesve dhe efektivëve. Në një njoftim zyrtar, thuhet se disa prej pjesëmarrësve kanë shtyrë dhe goditur punonjësit e policisë me vezë, domate, gurë dhe sende të tjera.

Sipas policisë, efektivët u kanë bërë disa herë thirrje protestuesve, përmes megafonit, që të ndalonin veprimet e kundërligjshme, të respektonin urdhrat e policisë dhe të mos cenonin perimetrin e sigurisë së Kuvendit apo të bllokonin rrugën. Pretendohet se thirrjet nuk janë respektuar dhe, në këto kushte, efektivët kanë përdorur spraj individual policor për të neutralizuar atë që e cilësojnë si veprime të dhunshme.

“Në zbatim të ligjit dhe në përmbushje të detyrës, Policia e Shtetit hartoi planin e masave për garantimin e perimetrit të sigurisë, si dhe të rendit e sigurisë gjatë tubimit të paralajmëruar nëpërmjet mediave dhe rrjeteve sociale, që u mbajt para Kuvendit të Shqipërisë ditën e sotme.

Gjatë tubimit, disa prej pjesëmarrësve kanë shtyrë dhe goditur me vezë, domate, gurë dhe sende të tjera punonjësit e Policisë të planëzuar në shërbim.

Punonjësit e Policisë, në zbatim të ligjit për tubimet, u kanë bërë thirrje, nëpërmjet megafonit, këtyre shtetasve që të mos vijonin veprimet e kundërligjshme ndaj punonjësve të Policisë dhe të zbatonin urdhrat e ligjshëm të Policisë, që të mos cenonin perimetrin e sigurisë së Kuvendit të Shqipërisë dhe të mos bllokonin rrugën. Këto urdhra nuk janë zbatuar nga disa prej pjesëmarrësve në tubim.

Në këto kushte, punonjësit e Policisë, në zbatim të procedurave standarde të punës, me qëllim neutralizimin e veprimeve të dhunshme të disa prej pjesëmarrësve në tubim, kanë përdorur spraj individual policor dhe, në vijim të veprimeve, kanë shoqëruar, deri në orën 17:30, tetë persona që kryenin veprime të dhunshme.

Shërbimet e Policisë po kryejnë detyrën me korrektësi dhe profesionalizëm, për të garantuar rendin, sigurinë dhe ushtrimin e së drejtës së çdo qytetari për të protestuar paqësisht.

Në këtë kuadër, Policia e Shtetit apelon për pjesëmarrësit në tubim që të respektojnë ligjin dhe të mos kryejnë veprime të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë, pasi çdo veprim i kundërligjshëm do të trajtohet në përputhje me ligjin”, thuhej në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese