EMRI/ 35-vjeçari shqiptar humb jetën tragjikisht duke prerë pemë në Itali

Një 35-vjeçar shqiptar ka humbur jetën tragjikisht pas një aksidenti të rëndë në pyjet e Rasorës, në zonën e Bolonjës, në Itali.
Viktima është identifikuar si Shkëlzen Pali, i cili prej disa vitesh jetonte dhe punonte në Itali.
Ngjarja ka ndodhur teksa 35-vjeçari ndodhej në pyll duke punuar për prerjen dhe transportimin e trungjeve të pemëve. Për lëvizjen e trungjeve ishte vendosur një teleferik i lëvizshëm.
Sipas informacioneve paraprake, aksidenti ndodhi në momentin kur po vihej në funksion kablloja e teleferikut.
Dyshohet se Pali kishte futur pa e kuptuar këmbën në kabllo dhe, në momentin e aktivizimit të saj, është tërhequr prej saj, duke pësuar plagë të rënda që i shkaktuan vdekjen.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.


