14 persona janë vendosur nën masa sigurie në Fier, pasi dyshohet se ushtronin aktivitet financiar në fushën e këmbimit valutor pa licencën përkatëse të Bankës së Shqipërisë. Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata ka caktuar “Arrest në shtëpi” për 11 persona. Për tre të tjerë është vendosur “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, ndërsa dy prej tyre duhet të paraqiten edhe në policinë gjyqësore. Në kuadër të hetimeve janë kontrolluar disa subjekte tregtare, të dyshuara se ushtronin aktivitetin e këmbimit valutor pa licencë, si dhe banesat e administratorëve të tyre. Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar shuma parash në valuta të ndryshme. Mes shumave të sekuestruara janë rreth 4.4 milionë lekë, mbi 92 mijë euro dhe mbi 8 mijë paund britanikë, si dhe shuma më të vogla në franga zvicerane, lira turke dhe dirhamë. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar edhe disa armë dhe mjete të mprehta.