Art & Kulturë Bota Celebrities

“Koha nuk është ajo që mendojmë…”/ Reflektimi i thellë i Anne Carson, fitueses së Çmimit Nobel në Letërsi 2026!

Shkrimtarja kanadeze Anne Carson, një prej emrave më të njohur të letërsisë bashkëkohore, është shpallur fituese e Çmimit Nobel në Letërsi për vitin 2026. Akademia Suedeze e ka vlerësuar për krijimtarinë e saj të guximshme dhe novatore, e cila ndërthur traditën klasike me forma të reja të shprehjes letrare.

Poetja, eseistja dhe përkthyesja, e njohur për mënyrën e veçantë se si ndërthur filozofinë, gjuhën dhe mitologjinë, ka tërhequr vëmendjen edhe me reflektimet e saj mbi jetën dhe kalimin e kohës. Një prej thënieve që i atribuohet Carson është:

“Koha nuk përbëhet nga asgjë; ajo është një abstraksion, thjesht një kuptim që ne ia imponojmë lëvizjes.”

Sipas këtij interpretimi, koha nuk është diçka që mund ta prekim apo ta shohim drejtpërdrejt, por një koncept përmes të cilit njerëzit kuptojnë ndryshimet dhe ngjarjet që përjetojnë. Lëvizja, të cilës Carson i referohet, mund të shihet si simbol i ndryshimeve që ndodhin vazhdimisht në jetën tonë, nga rritja personale dhe përvojat e reja deri te transformimet që sjellin vitet.

E lindur më 21 qershor 1950 në Toronto të Kanadasë, Anne Carson është poete, eseiste, përkthyese dhe studiuese e letërsisë klasike. Krijimtaria e saj karakterizohet nga ndërthurja e poezisë, prozës dhe filozofisë, duke marrë frymëzim nga letërsia e lashtë greke dhe romake.

Ndër veprat e saj më të njohura janë “Eros the Bittersweet”, “Autobiography of Red”, “Men in the Off Hours” dhe “Norma Jeane Baker of Troy”. Lajmin për fitimin e Nobelit, Carson e mori ndërsa ndodhej në Islandë. Sipas sekretares së përhershme të Akademisë Suedeze, Ingrid Carlberg, shkrimtarja ishte duke “dëgjuar erën” kur u kontaktua dhe u shpreh e surprizuar dhe e lumtur nga vlerësimi. Çmimi Nobel në Letërsi për vitin 2026 vlerëson kontributin e saj në krijimin e formave të reja letrare dhe dialogun origjinal me traditën klasike.