Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është rikthyer përsëri në foltoren e Kuvendit ku ka sulmuar reformën administrativo-territoriale, duke akuzuar mazhorancën se përmes teknologjisë së përdorur po përpiqet të fshehë, sipas tij, realitetin dhe të justifikojë shkrirjen e 15 bashkive.
Gjatë fjalës së tij, ai u ndal edhe te deputetja Olta Xhaçka, ndaj të cilës ka ngritur akuza për përfshirjen në kontrabandë. Berisha pretendoi se Xhaçka gjatë kohësh që ka qenë ministre e Mbrojtjes është përfshirë në veprimtari kontrabande së bashku me bashkëshortin e saj.
“Forma më e lartë e korrupsionit të gjuhës, akti më i rëndë i korrupsionit. Jo vetëm i gjuhës, por edhe i mendimit. Këta asgjësojnë 15 bashki, prej të cilave kanë performancë shumë të mirë, kanë ekipe me aktivitete të shquara, ekipe me kampionë… prej të cilave ka performancë më të mirë se këta ekzekutueset, dilni ju këtu bëni avokatinë më të turpshme. Por termat që përdorni janë përdhosje e plotë gjuhës shqipe.
Përdorni fjalë të kësaj gjuhe të bukur për t’u fshehur realitetin shqiptarëve, për t’u dhënë me fjalë. Një realitet që nuk ekziston, për të mbrojtur aferat tuaja korruptive.
Ku është kjo Xhaçka? E morët vesh që në kohën kur ka qenë ministre e Mbrojtjes ka luajtur kontrabandën? Sot ajo vjen, voton verbërisht, për të mbrojtur kontrabandat që ka bërë me të shoqin. Kjo është çështje e madhe shumë. Këta i detyrojnë të dalë ai. Si ka mundësi të silleni në këtë mënyrë? Mashtrimet e këtyre nuk përfundojnë kurrë”, tha Berisha.
