
Deputeti i PS për qarkun Berat, Fadil Nasufi, ka deklaruar në Kuvend se do ta votojë reformën e re territoriale, pavarësisht pakënaqësive të tij për mënyrën se si është hartuar ndarja administrative.
Gjatë fjalës në seancën plenare, Nasufi tha se ka ndjekur kundërshtimet e bashkive Dimal dhe Poliçan për bashkimin me Beratin, duke shprehur dakordësinë me shqetësimet e banorëve.
“Realisht prisja një hartë territoriale që e sjell organizimin e pushtetit vendor në kufirin e bashkive metropolitane ose ish-rretheve. Jam i dakordësuar me banorët e Dimalit”, u shpreh Nasufi.
Ai ngriti pikëpyetje edhe për kriteret e përdorura në përzgjedhjen e bashkive që do të bashkohen, duke argumentuar se një reformë e tillë duhet të zbatohej mbi të njëjtat kritere edhe për bashki të tjera.
“Nuk e kam pse bashkohet Dimali me Beratin, por pse nuk bashkohen edhe bashki të tjera të një tipologjie, ndoshta edhe më të ulët se Dimali, si Roskoveci, Kuçova, Delvina etj.”, tha deputeti socialist.
Pavarësisht rezervave, Nasufi konfirmoi se do të votojë draftin e propozuar nga mazhoranca.
“Gjithsesi unë e votoj këtë draft, edhe pse marr mbrapsht shije të hidhur e zhgënjim të shumë banorëve që nuk janë dakord me këtë hartë administrative”, deklaroi ai.
Në fund të fjalës së tij, Nasufi i uroi mirëseardhjen në Berat Dimalit dhe Poliçanit, të cilat sipas reformës së re do t’i bashkohen Beratit./Versus.al

