Houthit shënjestrojnë sërish Arabinë Saudite, godasin me raketa balistike aeroportin kryesor të Riadit, anulohen fluturimet
Londra dhe Berlini kanë rënë dakord të përballojnë së bashku kërcënimet dhe sulmet kibernetike apo aktet e sabotazhit të ardhura kryesisht nga Rusia kohët e fundit.
Në vizitën e tretë jashtë vendit, pas Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës, kryeministri Andy Burnham u takua me kancelarin gjerman Merz në Berlin, ku arritën një partneritet të ri strategjik për të përballuar sulmet hibride dhe për të bashkëpunuar për rritjen ekonomike të rajonit dhe në fushën e inovacionit.
Pjesë e partneritetit strategjik do të jetë ndarja e informacioneve sekrete për monitorimin dhe eliminimin e sulmeve kibernetike dhe degradimin e aftësive të aktorëve armiqësorë, duke nënkuptuar Rusinë, apo vende të tjera jo miqësore ndaj vlerave perëndimore, që operojnë në Evropë, si dhe mbrojtjen e infrastrukturave kritike të vendeve respektive.
Kjo pason nënshkrimin e marrëveshjeve të ngjashme të Britanisë me Turqinë dhe BE-në, që nga koha kur Laburistët erdhën në pushtet para dy vjetësh.
Pjesë e bisedave mes tyre ishte edhe çështja e Ukrainës, situata në Lindjen e Mesme dhe përpjekjet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Andy Burnham kërkoi përfshirjen e Gjermanisë në programin e prodhimit të avionëve luftarakë, ku marrin pjesë edhe Italia, Japonia dhe Britania.
Në prag të samitit të muajit të ardhshëm mes BE-së dhe Britanisë, Burnham tha se ai mbetej shumë i angazhuar për një bashkëpunim më të thellë dhe kërkon të shikojë nëse mund ta përafrojë akoma më shumë Britaninë me Bashkimin Evropian.
Mos harrojmë se kryeministri britanik gjatë javëve të fundit ka përmendur edhe perspektivën e ribashkimit të bllokut, pas referendumit të Brexit-it, që shënoi daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Top Channel