Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” ka dalë me një reagim të ashpër publik, duke dënuar me forcë atë që e cilëson si një provokim të rëndë ndaj dinjitetit kombëtar dhe popullsisë shqiptare: ekspozimin e portretit të komandantit grek Napoleon Zerva në Galerinë e Artit në Derviçan.
Përmes një deklaratë zyrtare, Fondacioni ngre pyetjen se për çfarë meritash mund të nderohet në territorin e Republikës së Shqipërisë figura e Zervës, i cili njihet historikisht për masakrat ndaj popullsisë civile, dëbimin masiv të shqiptarëve të Çamërisë nga trojet e tyre etnike dhe vuajtjet e pakufishme që u shkaktoi brezave të tërë.
Më tej, në reagim rikujtohet se Kuvendi i Shqipërisë, me ligjin nr. 7839 (datë 30.6.1994, dekretuar nga Presidenti me nr. 885, datë 12.7.1994), ka shpallur zyrtarisht 27 qershorin si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”. Sipas Fondacionit, përbën një absurditet të paimagjinueshëm që i njëjti shtet që njeh me ligj gjenocidin, të lejojë që brenda kufijve të tij të nderohet pikërisht arkitekti i atyre krimeve.

"Nderimi i Zervës përçon një mesazh që bie ndesh me njohjen zyrtare të gjenocidit nga parlamenti. Ndërsa shqiptarët përkujtojnë viktimat, në Dervician i jepet vend nderi figurës që simbolizon tragjedinë e tyre. Ky është një provokim që nuk mund të relativizohet si zgjedhje artistike dhe as të kalojë në heshtje. Arti dhe kultura nuk mund të përdoren për të rehabilituar figura përgjegjëse për krime ndaj shqiptarëve", thuhet në deklaratë.
Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” i ka bërë thirrje të menjëhershme kryetarit të Bashkisë Dropull që të heqë pa vonesë portretin e Napoleon Zervës nga ekspozita dhe të japë një shpjegim publik për këtë akt të papranueshëm.
Përveç pushtetit lokal, kërkesa i është drejtuar edhe nivelit qendror të qeverisjes: "I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të nisë një hetim të plotë përmes institucioneve kompetente për të sqaruar rrethanat, për të identifikuar personat që kanë propozuar, miratuar dhe mundësuar këtë ekspozim, si dhe për të nxjerrë përgjegjësitë institucionale e ligjore."
Në përmbyllje, Fondacioni nënvizon se respekti për minoritetin grek dhe të drejtat e tij në Shqipëri është i padiskutueshëm. Megjithatë, pikërisht mbrojtja e bashkëjetesës kërkon që përgjegjësia për këtë ngjarje të jetë me emra konkretë dhe të mos rëndojë mbi komunitetin, por mbi ata që provokojnë rëndë kujtimin e shqiptarëve të masakruar nga bandat shoviniste.