Deputeti i Partisë Socialiste për qarkun e Beratit, Fadil Nasufi, ka shprehur rezerva për hartën e re të Reformës Administrativo-Territoriale, e cila parashikon edhe bashkimin e Dimalit dhe Poliçanit me Beratin. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Nasufi tha se i ka ndjekur kundërshtimet e banorëve dhe të institucioneve vendore të Dimalit dhe Poliçanit, duke pranuar se kishte pritur një tjetër organizim territorial.
Ai tha se nuk e sheh problemin vetëm te bashkimi i Dimalit me Beratin, por te fakti që, sipas tij, reforma nuk ka ndjekur të njëjtën logjikë edhe për bashki të tjera që mund të kenë një tipologji të ngjashme. Në këtë kuadër, ai përmendi Roskovecin, Kuçovën dhe Delvinën. Megjithatë, pavarësisht rezervave, Nasufi deklaroi se do ta votojë draftin e reformës, duke pranuar se vendimi i lë atij një shije të hidhur për shkak të pakënaqësive të banorëve të zonave të prekura.
“Unë si deputet i qarkut Berat i kam ndjekur reagimet, refuzimet dhe argumentet kundërshtuese të bashkisë Dimal e Poliçan që i bashkohen Beratit. Realisht prisja një hartë territoriale që e sjell organizimin e pushtetit vendor në kufirin e bashkive metropolitane ose ish-rretheve. Jam i dakordësuar me banorët e Dimalit.
Nuk e kam pse bashkohet Dimali me Beratin, por pse nuk bashkohen edhe bashki të tjera të një tipologjie, ndoshta edhe më të ulët se Dimali, si Roskoveci, Kuçova, Delvina etj. Gjithsesi unë e votoj këtë draft, edhe pse marr mbrapsht shije të hidhur e zhgënjim të shumë banorëve që nuk janë dakord me këtë hartë administrative”, u shpreh Nasufi.
