Një 35-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident të rëndë në pyjet e Rasorës, në zonën e Bolonjës, në Itali.
Viktima është identifikuar si Shkëlzen Pali, i cili prej disa vitesh jetonte në Itali. Ai ndodhej në pyll së bashku me një koleg, teksa po punonin për prerjen dhe transportimin e pemëve.
Për lëvizjen e trungjeve në terren ishte vendosur një teleferik i lëvizshëm. Sipas të dhënave paraprake, aksidenti ndodhi në momentin kur po aktivizohej kablloja e mekanizmit.
Dyshohet se një pjesë e kabllos ishte krijuar në formën e një laku në tokë dhe 35-vjeçari kishte futur pa e kuptuar këmbët brenda saj. Në momentin që mekanizmi u vu në lëvizje, kablloja e goditi rëndë shqiptarin, duke i shkaktuar plagë fatale.
Ngjarja po hetohet nga autoritetet italiane, të cilat po punojnë për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.


