Mane Driza, 48 vjeç, i përshkruar nga mediat britanike si një vrasës serial shqiptar, pritet të ekstradohet në Shqipëri, pasi ka kryer një seri krimesh në tre shtete brenda më pak se tre vitesh.
Driza, i njohur edhe me pseudonimet “Tony Montana” dhe “Scarface”, sipas personazhit të bosit të krimit të interpretuar nga Al Pacino, e nisi serinë e krimeve në Shqipëri, për ta vijuar më pas në Britaninë e Madhe dhe Itali.
Ai ishte vetëm 18 vjeç kur kreu dy vrasjet e para në Shqipëri. Sipas të dhënave për rastin, motivi lidhej me hakmarrjen dhe një konflikt të mëparshëm kriminal me 33-vjeçarin Lavdosh Kanani.
Mane Driza, së bashku me të atin, gjetën Kananin dhe e vranë me armë zjarri. Ndërsa largohej nga vendngjarja, Driza u përball edhe me babanë 71-vjeçar të Lavdoshit, Elmaz Kananin, të cilin e qëlloi për vdekje.
Pas vrasjes së dyfishtë, Driza u largua nga Shqipëria dhe udhëtoi drejt Mbretërisë së Bashkuar duke përdorur identitetin e rremë “Sokol Drenova”. Atje nisi të jetonte me një tjetër shqiptar, Stefan Mone.
Në qershor të vitit 1999, Mone i dhuroi të dashurës së tij shtatzënë një unazë martese prej ari, të cilën e kishte gjetur në banesë. Sipas të dhënave për ngjarjen, unaza i përkiste Drizës, i cili pas kësaj kreu një sulm brutal ndaj Mones.
Driza e goditi vazhdimisht Mone, duke i shkaktuar më shumë se 120 plagë dhe duke e lënë të vdekur.
Pas vrasjes, ai u largua me avion drejt Italisë. Vetëm gjashtë muaj më vonë, Driza kreu një tjetër sulm fatal. Ai qëlloi me armë zjarri Artan Maskajn dhe Albert Blushajn, të cilët mbetën të vdekur në vend.
Gjatë së njëjtës ngjarje, ai tentoi të vriste edhe Lefter Maskajn. Megjithatë, arma iu bllokua dhe kjo i dha mundësi Maskajt të largohej nga vendi i ngjarjes.
Policia italiane e lokalizoi shpejt Drizën dhe e arrestoi të nesërmen, duke i dhënë fund serisë së vrasjeve të tij në tre shtete.
Në dhjetor të vitit 2001, një gjykatë shqiptare e dënoi në mungesë me 25 vite burg. Në qershor të vitit 2002, një gjykatë italiane e dënoi me 30 vite burg për komplot për vrasje dhe tentativë vrasjeje. Ndërkohë, në vitin 2019, një gjykatë në Mbretërinë e Bashkuar e dënoi me 20 vite burgim.
Dënimi i tij në Itali pritej të përfundonte në vitin 2026. Megjithatë, në korrik të vitit 2023, Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria arritën një marrëveshje për transferimin e tij.
Mane Driza pritet tashmë të ekstradohet në Shqipëri, ku do të vuajë dënimet e mbetura, prej më shumë se 20 vitesh burgim, të dhëna nga autoritetet gjyqësore britanike dhe shqiptare.


