POLITIKË /

“Shqipëria e ka vendin në BE”, McGrath takon Ramën: Ka ende punë përpara

Në fokus të takimit ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe reformat që vendi duhet të vijojë të zbatojë në këtë kuadër.

Shkruar nga Versus

“Shqipëria e ka vendin në BE”, McGrath takon Ramën:

Komisioneri i Bashkimit Europian për Demokracinë, Drejtësinë dhe Sundimin e Ligjit, Michael McGrath, zhvilloi një takim me kryeministrin Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

Në fokus të takimit ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe reformat që vendi duhet të vijojë të zbatojë në këtë kuadër.

Pas takimit, McGrath deklaroi se Shqipëria “e ka vendin në BE” dhe se është një nga vendet pararendëse në procesin e anëtarësimit.

“Shqipëria i përket BE-së dhe është një nga vendet në krye të procesit të pranimit në union. Qëllimi përfundimtar është në horizont, por ka ende punë të rëndësishme përpara dhe BE do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në çdo hap të rrugës”, u shpreh komisioneri europian.

McGrath tha se gjatë bisedës me Ramën u diskutua për përparimin e Shqipërisë në zbatimin e reformave në drejtësi dhe në fushën e sundimit të ligjit, të cilat i cilësoi si “spirancën politike” të procesit të anëtarësimit.

Ai vlerësoi progresin e arritur deri tani, por nënvizoi nevojën për ruajtjen e ritmit të reformave dhe për rezultate të qëndrueshme.

“Ekziston një histori e fortë progresi dhe një ambicie e qartë. Tani, ky moment duhet të ruhet për të dhënë rezultate të qëndrueshme dhe të pakthyeshme”, deklaroi McGrath.

Komisioneri europian theksoi se Bashkimi Europian do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në hapat e mëtejshëm të procesit të anëtarësimit./Versus.al

Poll