Greqia ka rënë dakord të shpenzojë deri në 4 miliardë dollarë për modernizimin e avionëve luftarakë F-16 dhe blerjen e raketave të avancuara nga SHBA-ja, thanë për Reuters të enjten dy burime të larta, një ditë pas vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Greqia kishte planifikuar më herët të shpenzonte rreth 28 miliardë euro deri në vitin 2036 për blerjen e avionëve luftarakë F-35 dhe helikopterëve të prodhimit amerikan, si dhe për ndërtimin e "Mburojës së Akilit" (Achilles Shield), një sistem shumë-shtresor kundër raketave balistike dhe avionëve, me armë të prodhuara në Izrael.
"Marrëveshja përfshin raketa dhe bomba të reja të avancuara për avionët luftarakë F-16 Viper dhe F-35, si dhe helikopterët Black Hawk. Gjithashtu, parashikohet modernizimi i avionëve të vjetër F-16 në versionin Viper", tha për Reuters një zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes.
Zyrtari shtoi se pjesa më e madhe e blerjeve është përfshirë në planin shumëvjeçar të qeverisë për mbrojtjen dhe nuk do të krijojë presion shtesë mbi financat e vendit.
Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme konfirmoi të dhënat, duke shtuar se kostot do të shpërndahen përgjatë disa viteve.
Rubio tha të mërkurën në Athinë se dy aleatët e NATO-s kishin rënë dakord për një plan të përbashkët sigurie për shkëmbimin e informacionit kundër terrorizmit mes agjencive të tyre ligjzbatuese.
Greqia ra dakord në vitin 2024 të blejë 20 avionë luftarakë F-35 të prodhuar nga Lockheed Martin dhe 35 helikopterë Sikorsky UH-60M Black Hawk. Aktualisht po modernizon rreth 82 avionë F-16 në versionin Viper dhe synon të modernizojë edhe 37 avionë të tjerë Block 50 në versionin Viper, me një kosto prej rreth 1 miliard dollarësh.
Kjo lëvizje është pjesë e përpjekjeve të Greqisë për të modernizuar forcat e saj të armatosura, ndërsa vendi po rimëkëmbet nga kriza e borxhit të viteve 2009-2018, e cila solli vite të tëra masash shtrënguese.
Greqia shpenzon rreth 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, një përqindje më e lartë se ajo e shumë vendeve të tjera të NATO-s, për shkak të mosmarrëveshjes së gjatë me Turqinë. /Reuters/
© SYRI.net