Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, e ka kundërshtuar reformën e re territoriale gjatë seancës plenare, duke e cilësuar atë si një projekt të njëanshëm që, sipas saj, synon interesat elektorale të mazhorancës.
Vokshi deklaroi se ndryshimi i hartës territoriale prek drejtpërdrejt 15 bashki dhe mbi 250 mijë banorë, ndërsa akuzoi qeverinë se po e miraton draftin pa marrë parasysh kundërshtimet e qytetarëve, kryetarëve të bashkive dhe këshillave vendorë.
“Ky është një akt i dhunshëm, i njëanshëm dhe shkatërrues për mijëra familje dhe për dhjetëra bashki”, tha Vokshi nga foltorja e Kuvendit.
Sipas saj, bashkitë nuk po shkrihen për të afruar shërbimet me qytetarët, por për të krijuar një hartë që i shërben mazhorancës në zgjedhjet e ardhshme.
“Është thjesht një hartë elektorale e Edi Ramës për interesa që i shërbejnë vetëm Edi Ramës. Nuk është hartë për qytetarët, është për pushtetarët”, u shpreh deputetja demokrate.
Vokshi ngriti gjithashtu pretendimin se edhe brenda mazhorancës ka pasur kundërshtime ndaj draftit. Ajo përmendi 15 këshilla bashkiakë që, sipas saj, kanë votuar kundër ndryshimeve, duke theksuar se disa prej tyre drejtohen nga socialistë.
Një pjesë e fjalimit iu kushtua edhe protestave para Kuvendit. Vokshi akuzoi policinë për përdorim dhune ndaj qytetarëve dhe kryetarëve të bashkive që kanë kundërshtuar reformën.
Deputetja iu referua edhe standardeve të kërkuara nga institucionet europiane, duke deklaruar se reforma territoriale duhet të kalojë përmes dialogut dhe konsensusit politik.
“Rezoluta kërkon konsensus. Çfarë bëni ju? Edhe i mashtroni ndërkombëtarët se i thoni opozita bojkotoi”, tha Vokshi, duke kundërshtuar pretendimin se opozita nuk ka marrë pjesë në procesin e konsultimit.
Në fund, ajo kërkoi tërheqjen e draftit dhe propozoi që qytetarët të pyeten përmes referendumit se cilin variant të hartës territoriale duan.
“Le të bëjmë një referendum, le të pyesim të gjithë qytetarët cilin variant duan ata. Na kanë votuar si deputetë për të qenë zëri i tyre”, deklaroi Vokshi.
Ajo e mbylli fjalimin me një apel drejtuar deputetëve të mazhorancës që të mos e votojnë reformën, duke paralajmëruar se emrat e atyre që votojnë pro do të mbeten, sipas saj, “me të zeza në murin e turpit të këtij parlamenti”.
Pjesë nga fjala
Ky akt i sotëm i juaji është një akt i dhunshëm, i njëanshëm, është antikushtetues, është akt shkatërrues për mijëra familje dhe për dhjetëra bashki.
Është një akt i nxituar dhe i pabesë, ashtu sikurse i pabesë është edhe Edi Rama, që po mundohet të gjejë votat sepse nuk i ka akoma, me metoda mafioze, duke përdorur kodin e mafies. Po vazhdojnë kërcënimet, po vazhdojnë shantazhet, sepse nuk i ka votat. Mendoni çfarë po kaloni juve sot, as deputetët tuaj nuk duan ta votojnë. Po është, kjo që po bëni është kriminale. Si mundet juve të votoni një reformë që pretendoni se ka në qendër qytetarët dhe nuk i dëgjoni mijëra qytetarë që protestojnë, kanë që në mëngjes që vazhdojnë protestojnë. Kjo nuk është reformë, kjo është ajo që do Edi Rama. Është një akt i pabesë, vetëm reformë nuk është. Po kaloni atë hartë elektorale që e do Edi Rama duke dhunuar në mënyrë shtazarake dhjetëra qytetarë. A e dini ju se sa prej tyre kanë marrë ndihmë shëndetësore prej dhunës së policisë? A e keni parë juve se si policia i ka dhunuar duke i futur në makinë? Ka dhunuar kryetarët e bashkisë. Kë keni dëgjuar juve për këtë që po miratoni sot, kur kryetari i bashkisë bashkë me qytetarët vjen proteston? Kë keni dëgjuar kur 15 këshilla bashkiakë të bashkive, që ju po i shkrini me një të rënë të lapsit, kanë votuar kundër, dhe janë socialistë? Kur kryetarët e bashkisë kanë votuar kundër, kanë protestuar, kanë djegur madje edhe kartat e Partisë Socialiste, sepse i keni mashtruar, i keni braktisur. Ky është një akt kriminal sepse do thellojë shpopullimin, është i qëllimshëm. E përmenda, është akt i nxituar i Edi Ramës me reformën.
Atë që miratoi në 2014-ën, largoi mbi 1 milion qytetarë shqiptarë. A i keni bërë llogaritë se sa do largohen nëse kjo reformë miratohet sot? Sepse shërbime nuk do të kenë. Në asnjë rast nuk është vërtetuar që bashkitë më të mëdhaja kanë shërbime më pranë qytetarëve, e kundërta ka ndodhur në Shqipëri. Janë larguar shërbimet, janë centralizuar shërbimet, janë vjedhur paratë. Ajo që ju po miratoni sot është thjesht një hartë elektorale e Edi Ramës për interesa që i shërbejnë vetëm Edi Ramës. Karriges së Edi Ramës. Nuk është hartë për qytetarët, është për pushtetarët. Është një hartë që shpopullon dhe do shpopullojë më tej shumë zona të Shqipërisë. Po ky është qëllimi. Ky është qëllimi në fund të ditës. T’i shpopullojë dhe pastaj t’i marrë dhe t’ia japë rronit, t’ia japë investitorëve strategjikë, t’ia japë bandave kriminale, ato që e ndihmojnë për të fituar zgjedhjet apo për t’i rrëmbyer zgjedhjet. Është një akt i dhunshëm. Mos e votoni! Mos e votoni! Është një akt i cili kundërshtohet në çdo dokument ndërkombëtar. Lexoni rezolutën e Parlamentit Europian, e thotë qartazi, në 17 qershor rezoluta kërkon konsensus. Lexoni rezolutën 2455 të Këshillit të Europës, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Nuk kërkon vetëm konsultime, nuk kërkon vetëm analiza para se të miratohen. Kërkon konsensus! Dhe çfarë bëni ju? Edhe i mashtroni ndërkombëtarët se i thoni opozita bojkotoi. Nuk ka bojkotuar në asnjë rast, në asnjë mbledhje opozita. Ka qenë aty serioze me një draft të mirëfilltë bazuar në analiza të mirëfillta. Ai që po bëni ju sot është një akt i dhunshëm, me një gomë po fshini kufijtë e 15 bashkive. Çfarë thotë KiE? Kërkon dialog. Respektimin e autonomisë vendore. Përfshirjen e shoqërisë civile dhe pakicave kombëtare. Kërkohet konsensus sepse ky është standardi, jo t’i konsultojmë… sepse e përmendi edhe ministri, Mazniku, e përmendi edhe kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja: ne i dëgjojmë tha, po në fund të ditës nuk do t’i pyesim ata. Atëherë për çfarë po talleni? Jeni tallur gjatë gjithë kësaj kohe? Çfarë i ka kërkuar, ka vënë në krye Maznikun i cili duhet të ishte me Erion Veliajn, nuk duhet të bënte, nuk duhet të ishte bashkëkryetar. E mori Maznikun dhe i tha: tashti merr këto qendrat e votimit dhe ma qep të hartën që neve të fitojmë zgjedhjet e ardhshme. Ky është qëllimi i vetëm. Të nderuar kolegë. Unë ju kërkoj dhe njëherë që të mos e votoni. Mos e votoni këtë akt shkatërrues. Tërhiqeni draftin. Le të bëjmë një referendum, e kërkuan të gjithë si deputetë të opozitës. Le të pyesim të gjithë qytetarët, cilin variant duan ata? Le të dëgjojmë zërin e tyre, na kanë votuar si deputetë për të qenë zëri i tyre, për të qenë përfaqësues të tyre. Mos e votoni këtë akt shkatërrues dhe shpopullues. Nëse keni dhe një pikë dinjiteti, nëse ju ka mbetur. Mendoni për qytetarët e 15 bashkive, mendoni për mbi 250 mijë banorë të cilët preken në mënyrë të drejtpërdrejtë. Mendoni për ato familje të cilat sot marrin ose marrin shumë pak shërbime, po nesër do detyrohen të largohen. Tërhiqeni draftin. Mos e votoni. Mos e votoni në qoftë se keni dhe një pikë dinjiteti. Përndryshe emrat tuaj do të shkruhen me të zeza në murin e turpit të këtij parlamenti. Faleminderit.













