Gazetari Artan Hoxha ka komentuar në “Çim Peka LIVE” debatin për reformën territoriale, duke e lidhur kundërshtimin ndaj shkrirjes së bashkive të vogla me problemin e shërbimeve në zonat rurale.
Hoxha tha se kundërshtimi ndaj reformës nuk është i kufizuar vetëm te mbështetësit e opozitës. Ai solli si shembuj protestat në Divjakë dhe Poliçan, duke theksuar se në këto zona kanë reaguar edhe qytetarë me bindje socialiste.
Sipas gazetarit, kjo pakënaqësi mund të shndërrohet në një kauzë të përbashkët, pasi prek drejtpërdrejt banorët dhe jo vetëm partitë politike.
“Shyqyr që dhe kundërshtari yt dhe kundërshtarët e tu bashkohen te kjo kauzë. Kjo është kauzë që t’i bashkon dhe socialistët, dhe demokratët, dhe legalistët dhe ballistët”, deklaroi Hoxha.
Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si opozita po e trajton këtë çështje, duke argumentuar se një kundërshtim politik nuk mund të zhvillohet vetëm nga studio televizive, por kërkon prezencë në terren.
“Do luftosh centimetër për centimetër, metër për metër, fshat për fshat, lagje për lagje”, tha gazetari, duke kërkuar nga opozita që të jetë pranë banorëve të zonave që preken nga ndryshimet.
Një tjetër pikë e debatit ishte argumenti i mazhorancës se bashkitë më të mëdha do të mund të ofrojnë më mirë shërbimet për zonat rurale.
Hoxha e kundërshtoi këtë pretendim duke marrë si shembull Bashkinë e Tiranës. Sipas tij, banorët e zonave rurale të përfshira në territorin e Tiranës nuk kanë marrë shërbimet e premtuara.
“Çfarë shërbimi ofron sot bashkia më e madhe e vendit, e Tiranës, për fshatarët e Shëngjergjit? Zero! Zero shërbim. Çfarë ofron për Shëmërinë? Zero, zero shërbim”, u shpreh Hoxha.
Gazetari iu referua edhe reformës territoriale të vitit 2014, duke argumentuar se shkrirja e njësive të vogla administrative ka sjellë pasoja për ekonominë dhe punësimin në zonat rurale.
Në këtë kontekst, ai paralajmëroi se heqja e bashkive të vogla mund të thellojë më tej boshatisjen e këtyre zonave, ndërsa kundërshtimi ndaj reformës, sipas tij, mund të krijojë një pikë takimi mes qytetarëve me bindje të ndryshme politike.













