Greqia ka rënë dakord të shpenzojë deri në 4 miliardë dollarë për modernizimin e një pjese të avionëve të saj luftarakë “F-16” dhe blerjen e raketave e municioneve të avancuara nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas dy burimeve të cituara nga Reuters, marrëveshja është bërë publike një ditë pas vizitës në Athinë të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Një zyrtar i lartë i Ministrisë greke të Mbrojtjes ka bërë të ditur se paketa përfshin raketa dhe bomba të avancuara për avionët “F-16 Viper” dhe “F-35”, si dhe për helikopterët “Black Hawk”.
Në kuadër të marrëveshjes parashikohet edhe modernizimi i avionëve më të vjetër “F-16”, të cilët do të përmirësohen në variantin “Viper”.
Athina ka planifikuar ndërkohë rreth 28 miliardë euro shpenzime për forcimin e kapaciteteve të saj të mbrojtjes deri në vitin 2036. Plani përfshin blerjen e avionëve amerikanë “F-35”, helikopterëve dhe ngritjen e një sistemi shumë-shtresor për mbrojtjen ajrore dhe kundër raketave balistike, të njohur si “Achilles Shield”, me sisteme të prodhuara në Izrael.
Sipas zyrtarëve grekë, pjesa më e madhe e blerjeve të reja ishte parashikuar tashmë në planin shumëvjeçar të mbrojtjes së vendit.
Paketat e reja të armatimit dhe modernizimit janë pjesë e përpjekjeve të Greqisë për të rritur kapacitetet e saj ushtarake dhe për të modernizuar sistemet ekzistuese të mbrojtjes.


