PS e bashkuar, 85 vota PRO draftit për 46 bashki. Opozita reagon me ujë dhe sende të forta, Braçe u dorezua!
Pas një maratone që nisi në orën 10:00 të mëngjesit të së enjtes, Kuvendi i Shqipërisë ka votuar me 85 vota PRO draftin e PS-së për Reformën Territoriale që do çojë numrin e bashkive nga 61 në 46 bashki, 11 vite pas ndarjes së fundit. Opozita e kundërshton, dhe gjatë votimit, Gazment Bardhi hodhi ujë në drejtim të deputetëve të PS, si dhe sende të forta drejt kryeministrit Edi Rama. Ndonëse foli ndryshe edhe në fjalimin e fortë që mbajti në seancën plenaredhe me replikat kundër kolegëve të partisë, Erion Braçe u ”dorëzua” paralajmërimit të Ramës, dhe ka votuar me PRO draftit të propozuar nga partia e tij.
Pas përfundimit të seancës plenare, Braçe deklaroi se është kundër reformës, duke paralajmëruar se qëndrimin e tij do ta bëjë më të qartë këtë të premte, gjatë ditës. “Jam kundër, do e sqaroj”, u shpreh Braçe për mediat, teksa po largohej nga ambientet e Kuvendit. Vetëm pak sekonda para se të bëhej votimi, në seancë u shfaq edhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila nxiti më shumë tensionet me opozitën.
Gjatë seancës plenare, opozita e kundërshtoi ashpër propozimin e PS dhe i kërkoi asaj të tërhiqet, pasi sipas tyre pr.ligji i ri nuk është konsultuar me qytetarët dhe kërkuan që të kalojë në referendum. Dita maratonë nisi me një takim mes vetë socialistëve. Paralajmërimi i votës kundër për Territorialen të deputetëve Braçe dhe Sinaj e rrezikonte miratimin e reformës, por gjithçka ndryshoi kur u realizua edhe votimi.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha kundërshtoi projektin e mazhorancës për riorganizimin territorial, duke kërkuar që vendimmarrja t’u lihet qytetarëve përmes një referendumi. Berisha argumentoi se reforma nuk lidhet me përmirësimin e shërbimeve, por me interesa politike, ndërsa kërkoi që qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin mes alternativave për organizimin territorial të vendit.
Të njëjtën linjë mbajti edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili akuzoi mazhorancën se po shkel procedurat ligjore duke mos përfshirë në relacion mendimin e banorëve të zonave që preken nga ndryshimet. Bardhi kundërshtoi veçanërisht shkrirjen e Bashkisë së Divjakës dhe ngriti pikëpyetje mbi ruajtjen e Bashkisë së Vaut të Dejës, duke e lidhur këtë me interesa politike.
Edhe bashkëkryetari demokrat i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi, e kundërshtoi hartën e re, duke argumentuar se ndryshimet mund të ndikojnë në përfaqësimin, shërbimet dhe identitetin e zonave të ndryshme të vendit. Ai solli si shembuj zonat periferike të Tiranës dhe përfshirjen e Rinasit në territorin e kryeqytetit, duke kërkuar që vendimmarrja të bazohet te nevojat e komuniteteve.
Nga ana tjetër, mazhoranca e mbrojti reformën duke argumentuar se riorganizimi synon konsolidimin e njësive vendore dhe rritjen e kapaciteteve për ofrimin e shërbimeve. Arbjan Mazniku, një nga hartuesit e projektit, deklaroi se kalimi nga 61 në 46 bashki nuk nënkupton zhdukjen e shërbimeve apo të identitetit të qyteteve.
Sipas Maznikut, qytetarët do të vazhdojnë të kenë akses te shërbimet vendore, ndërsa përfaqësimi në këshillat bashkiakë do të ruhet në mënyrë proporcionale sipas popullsisë. Ai theksoi gjithashtu se 46 bashkitë e reja do të përfshijnë 77 qytete, duke argumentuar se emrat, historia dhe identiteti i tyre do të ruhen. Mazniku e cilësoi reformën territoriale të vitit 2014 si një proces që forcoi financiarisht bashkitë, ndërsa tha se një riorganizim i ri nevojitet për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje për shërbime dhe investime.
Bashkitë që shkrihen
Maliq
Dimal
Cërrik
Divjakë
Përrenjas
Patos
Belsh
Rrogozhinë
Klos
Selenicë
Poliçan
Memaliaj
Fushë-Arrëz
Këlcyrë
Libohovë
LEXONI EDHE:
PS kërkon 46 bashki, Blendi Klosi: Nuk është reformë elektorale, donim që në 2014-ën më pak bashki
Nga kundër në votë pro për 46 bashki, Vullnet Sinaj: Tani përgjegjësia i takon PS-së
Blushi me deklaratë të fortë: Rama sot është këtu, shpresoj që Braçe të dalë gjallë
Votimi për 46 bashki, Muçi në Kuvend: Jam shumë kurioz të shoh ngjyrën e kartonit të Braçes


