Pas një seance maratonë që nisi në orën 10:00 të mëngjesit, Kuvendi ka miratuar rreth orës 01:00 të natës Reformën e re Territoriale, me 85 vota pro.
Në sallën e Parlamentit ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili mbërriti pak minuta para votimit. Gjatë mbrëmjes, vëmendja ishte përqendruar te qëndrimi i deputetit socialist Erion Braçe, pas kundërshtive të shprehura prej tij për hartën e re territoriale.
Sipas pamjeve nga votimi, ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku votoi pro projektligjit, duke shtypur butonin jeshil.
Por një nga zhvillimet që ra në sy ishte edhe vota e Erion Braçes. Pavarësisht rezervave dhe kritikave të shprehura gjatë ditëve të fundit, deputeti socialist votoi pro reformës, ndryshe nga sa kishte paralajmëruar më herët.
Miratimi erdhi pas një dite të gjatë debatesh mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa jashtë Kuvendit u zhvilluan protesta kundër ndryshimeve të propozuara në ndarjen administrativo-territoriale.
