Shqipëri-Uells/ Vajzat kuqezi gati për sfidën historike! Synojnë hapin e madh drejt Botërorit 2027

Kombëtarja shqiptare e vajzave ka mbyllur përgatitjet për përballjen me Uellsin, në raundin e parë të fazës play-off për Kupën e Botës 2027. Sfida do të luhet sot në stadiumin “Loro Boriçi”, në orën 18:00, ndërsa hyrja për tifozët do të jetë falas.
Vajzat kuqezi janë gati për një nga ndeshjet më të rëndësishme të historisë së futbollit të femrave në Shqipëri. Ekipi ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Loro Boriçi”, nën drejtimin e trajnerit Armir Grima, me përqendrimin maksimal te sfida vendimtare ndaj përfaqësueses së Uellsit.
Gjendja e përgjithshme e skuadrës para ndeshjes raportohet të jetë shumë e mirë, pa probleme të evidentuara në prag të kësaj përballjeje. Atmosfera në kampin kuqezi është pozitive dhe futbollistet synojnë të japin maksimumin për të përfaqësuar denjësisht Shqipërinë.
Përballja me Uellsin përfaqëson një mundësi të rëndësishme për Kombëtaren shqiptare të vajzave, e cila synon të bëjë një hap përpara në rrugëtimin drejt Kupës së Botës 2027.
Në këtë sfidë, mbështetja e tifozëve mund të jetë një element i rëndësishëm për skuadrën e Armir Grimës. Për këtë arsye, të gjithë tifozët shkodranë dhe shqiptarë janë ftuar të jenë të pranishëm në stadium për të përkrahur vajzat kuqezi.

