Tragjedi gjatë kontrollit në Gjermani, 60-vjeçari vr'et zyrtarët, arrestohet pas 12 orësh negociata

Bota

Tragjedi gjatë kontrollit në Gjermani, 60-vjeçari vr'et
Një 60-vjeçar gjerman, i dyshuar për vrasjen e dy zyrtarëve të administratës lokale gjatë një kontrolli për armët në banesën e tij, është arrestuar pas një operacioni policor që zgjati më shumë se 12 orë në Bavari.

Ngjarja ndodhi të enjten pasdite, më 8 tetor, në Berngau, kur dy punonjës të administratës rajonale të Neumarkt vizituan banesën e tij për të kontrolluar nëse armët mbaheshin dhe ruheshin në mënyrë të ligjshme.

Sipas policisë, 60-vjeçari hapi zjarr ndaj dy zyrtarëve, duke i vrarë të dy, dhe më pas u mbyll në banesë. Fillimisht, autoritetet raportuan se një burrë kishte humbur jetën dhe një grua ishte plagosur rëndë, por më vonë konfirmuan se edhe punonjësja e dytë kishte ndërruar jetë.

Pas disa orësh negociatash, forcat speciale ndërhynë në banesë rreth orës 02:20 të mëngjesit të së premtes dhe arritën ta arrestonin të dyshuarin. Në operacion morën pjesë rreth 150 efektivë policie dhe 90 pjesëtarë të shërbimeve të shpëtimit dhe mbështetjes. Në zonë u angazhua gjithashtu një helikopter policie.

Gjatë operacionit, policia u përpoq ta bindte të dyshuarin të dorëzohej paqësisht. Autoritetet kishin deklaruar se ishin në komunikim me të, ndërsa synimi ishte shmangia e një ndërhyrjeje të dhunshme.

Motivet e sulmit mbeten të paqarta. Sipas mediave gjermane, 60-vjeçari mund të ishte një snajper amator pa precedentë penalë, por ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.

Policia ka rrethuar zonën gjatë operacionit dhe ka bërë të ditur se nuk kishte rrezik për banorët jashtë perimetrit të sigurisë. Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

Berngau është një komunitet rural me rreth 2,600 banorë, në rajonin e Pfalzit të Sipërm, në Bavari.

ME TE LEXUARAT