Që prej mbrëmjes së djeshme në vend janë rikthyer reshjet e shiut, të shoqëruara edhe me shtrëngata. Për shkak të kësaj situate trafiku në kryeqytet paraqitet i rënduar në disa prej akseve kryesore rrugore.

Në disa zona veçanërisht përgjatë Unazës së Madhe, në Laprakë, Don Bosko, zonën e Ali Demit, Astir dhe Sauk, është krijuar një trafik kilometrik. Që në orët e para të mëngjesit qindra qytetarë kanë mbetur të bllokuar në rrugë.

Edhe në disa qarqe të tjera të vendit reshjet e shiut kanë krijuar disa problematika. Në Kukës reshjet kanë shkaktuar rënie gurësh dhe inertesh në disa akse rrugore. Qytetarët këshillohen të lëvizin me kujdes, ndërsa në terren ndodhen kompanitë e mirëmbajtjes së rrugës.

Në Durrës disa rrugë patën prezencë të shtuar uji duke vështirësuar qarkullimin. Fatmirësisht sitiata tani paraqitet e qetë dhe lëvizja e automjeteve vijon normalisht.

Në Lezhë edhe në Fier reshjet shiut shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona. Grupet e punës ndodhen në terren për rikthimin e energjisë.

Ndërkohë në qytetin bregdetar të Vlorës prezenca e shtuar e ujit krijoi vështirësi në qarkullim. Situata më problematike paraqitet në bulevardin Ismail Qemali dhe bulevardin e Palmave.

lajm ne perditesim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:31
Reshjet shkaktuan rënie gurësh në disa akse, ARRSH: Qarkullimi në rrugët nacionale vijon normalisht

Reshjet e shiut gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit kanë shkaktuar rënie gurësh dhe inertesh në disa segmente të rrugëve nacionale, por qarkullimi vijon normalisht në të gjithë vendin.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën të ditur se ekipet e mirëmbajtjes kanë ndërhyrë menjëherë për pastrimin e akseve të prekura, duke larguar gurët, inertet, si edhe duke pastruar bimësinë dhe kunetat.

Sipas ARRSH-së, grupet e punës ndodhen në terren të pajisura me mjetet e nevojshme për të ndërhyrë në çdo segment ku reshjet mund të krijojnë probleme për qarkullimin.

Autoriteti u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në zonat ku moti me reshje mund të ndikojë në kushtet e rrugës.

Ora 12:19
Reshjet shkaktojnë rënie gurësh në rrugën Burrel-Skuraj, rrezik në segmentin e Shkopetit (VIDEO)

Reshjet e shiut që kanë nisur prej mbrëmjes së kaluar kanë shkaktuar probleme në rrugën nacionale Burrel-Skuraj, ku janë regjistruar rënie gurësh dhe shkëmbinjsh në segmentin e Shkopetit.

Për shkak të terrenit të thyer dhe mungesës së rrjetave mbrojtëse, rënia e gurëve është e vazhdueshme dhe përbën rrezik për drejtuesit e automjeteve që kalojnë në këtë aks.

Në terren ndodhen punonjësit e mirëmbajtjes, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të lëvizin me kujdes të shtuar në këtë segment rrugor.

Ora 10:58
Rikthehen reshjet e shiut, rrugët në Vlorë nën ‘pushtetin’ e ujit (VIDEO)

 

Shiu me intensitet të lartë në qytetin bregdetar të Vlorës ka bërë që disa rrugë të kenë prezencë të shtuar uji.

Situatë problematike është në bulevardin Ismail Qemali, bulevardin e Palmave dhe në disa lagje.

Prezeca e ujit në rrugë ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve.

 

Ora 10:48
Reshjet e shiut, rreth 30 fshatra në qarkun e Fierit pa energji elektrike! Punonjësit e OSHEE-së në terren (VIDEO)

 

Reshjet e dendura të shiut të shoqëruara me shkarkesa elektrike kanë shkaktuar defekte në linjat e furnizimit me energji elektrike duke lënë pa drita banorët e më shumë se 30 fshatrave në Fier Patos dhe Mallakastër.

Defekte si pasojë e motit të keq janë shkaktuar edhe në zonat rurale të Lushnjes.

Punonjësit e OSHEE-së po punojnë për rikthimin e energjisë elektrike.

Ora 09:57
Moti në Lezhë, linja elektrike shkëputet dhe bie sipër banesve tek ish-frutorja! (VIDEO)

Një linjë elektrike e tensionit të mesëm është këputur dhe ka rënë mbi banesa private në hyrje të qytetit të Lezhës, duke rrezikuar jetën e disa familjeve. Situata është regjistruar në zonën e ish-frutores, ku banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për zhvendosjen e linjës elektrike, e cila kalon siper shtepive. Bëhet fjalë për fiderin që furnizon me energji elektrike fshatrat e Zadrimës, pjesë e Nënstacionit Elektrik Lezhë 110/10 kV, në administrim të njësisë elektrike Lezhë.

Përveç rrezikut për jetën, incidenti ka shkaktuar edhe dëme materiale. Në njërën prej banesave janë djegur disa pajisje elektroshtëpiake, ndërsa banorët shprehen të shqetësuar se një tjetër këputje e linjës mund të sjellë pasoja edhe më të rënda.Problematika, sipas banorëve, është e përsëritur dhe shqetësimi mbetet i lartë për shkak të afërsisë së kabllove me banesat private.

Nga ana tjetër, OSHEE eshte ne dijeni të problematikës prej vitesh dhe bën me dije se do të ndërhyjë për zhvendosjen e linjës elektrike që kalon mbi banesa. Megjithatë, banorët presin që kjo ndërhyrje të konkretizohet sa më parë, në mënyrë që të shmanget rreziku që paraqet aktualisht fideri.

 

Ora 09:07
Reshjet e shiut në Kukës, rënie inertesh në disa akse! Drejtuesit këshillohen të lëvizin me kujdes (VIDEO)

Reshjet e shiut kanë përfshirë qarkun e Kukësit që prej orëve të pasdites së djeshme, kanë sjellë vështirësi në qarkullimin e automjeteve në qytete dhe në disa akse rrugore nacionale.

Reshjet kanë shkaktuar rënie gurësh dhe materialesh inerte në disa akse rrugore nacionale. Deri më tani nuk raportohet për bllokime të qarkullimit pasi kompanitë e mirëmbajtjes rrugore kanë ndërhyrë për largimin e gurëve dhe materialeve inerte të rëna në rrugë.

Ndryshe, reshjet e shiut janë të mirëpritura për sektorin energjetik, veçanërisht për hidrocentralin e Fierzës, i cili gjatë muajve të verës është përballur me prurje të kufizuara nga burimet që furnizojnë liqenin, çka ka bërë që niveli i Fierzës të zbresë në kuotën 265 metra mbi nivelin e detit. 

Ora 08:56
Durrësi përfshihet nga reshjet e shiut, prezenca e shtuar e ujit vështirësoi qarkullimin e mjeteve (VIDEO)

Reshjet e shiut që përfshinë Durrësin mëngjesin e kësaj të premteje bënë që disa rrugë të qytetit të mbulohen nga uji.

Situata ishte më problematike ishte në zonën pranë stadiumit, në rrugën “Taulantia” dhe përgjatë bregdetit, ku uji në rrugë vështirësoi qarkullimin e automjeteve.

Ndërkohë tani raportohet uji është larguar nga rruga, dhe automjetet vijojnë qarkullimin normalisht.