Reshjet e dendura të shiut dhe shkarkesat elektrike kanë shkaktuar defekte në rrjetin e furnizimit me energji elektrike, duke lënë pa drita banorët e më shumë se 30 fshatrave në Fier, Patos dhe Mallakastër. Probleme me furnizimin me energji janë raportuar edhe në zonat Lushnjës dhe të Lezhës.
Ndërprerjet e energjisë nisën që mbrëmjen e së enjtes, fillimisht në fshatrat e zonës së Levanit. Me përkeqësimin e motit dhe reshjeve të shiut gjatë mëngjesit të sotëm, defektet janë shtrirë edhe në zona të tjera.
Vetëm në bashkitë Fier, Patos dhe Mallakastër janë jashtë funksionit tetë fidera të rrjetit elektrik. Problemet janë shfaqur edhe në disa akse rrugore brenda qyteteve dhe në ato interurbane pas bllokimit të shimbledhësve por deri tani nuk ka raportime për bllokim të qarkullimit rrugor.
Zonat e prekura nga ndërprerjet e energjisë janë:
1. Zonat e Libofshës
2. Një fider në Seman
3. Një fider në Patos
4. Një fider në Kraps
5.Fideri 20 kV në Kafaraj
6.Zona Qarr-Bishan
7. Një fider në Ballsh
8. Një fider në Aranitas
Mesatarisht, një fider furnizon me energji elektrike tre deri në katër fshatra, ndërsa në zonat urbane mbulon disa lagje.
Ndërkohë, në bashkinë e Lezhës, ndërprerje të energjisë janë raportuar në njësitë administrative Kallmet, Dajç, Blinisht, Shënkoll, Kolsh dhe Zejmen, si dhe në disa zona të qytetit.
