
Reshjet e dendura të shiut të shoqëruara me shkarkesa elektrike kanë shkaktuar defekte në linjat e furnizimit me energji elektrike duke lënë pa drita banorët e më shumë se 30 fshatrave në Fier, Patos dhe Mallakastër. Defekte si pasojë e motit të keq janë shkaktuar edhe në zonat rurale të Lushnjës.
Burime nga Filiali i OSHEE në Fier thanë se defektet u shkaktuan si pasojë e shkarkesave elektrike që prej mbrëmjes se të enjtes kur energjia u ndërpre fillimisht në fshatrat e Levanit. Sot në mëngjes me përkeqësimin e motit, defekte ndodhën edhe në zona të tjera. Vetëm në bashkitë Fier, Patos dhe Mallakastër janë jashtë funksionit tetë fidera. Për shkak të shkarkesave veçanërisht të shpeshta elektrike që po shoqërojnë reshjet e shiut, nuk ka nisur ende puna për riparimin e defekteve. Probleme janë shfaqur edhe në disa akse rrugore brenda qyteteve dhe në ato interurbane pas bllokimit të shimbledhësve, por deri tani nuk ka raportime për bllokim të qarkullimit rrugor.