Një mesazh kërcënues për vendosjen e lëndëve shpërthyese në ambientet e disa institucioneve shtetërore është dërguar në adresat e tyre zyrtare elektronike.
Përmes një reagimi zyrtar, Policia e Shtetit bën me dije se ka nisur menjëherë verifikimet pas marrjes së mesazhit kërcënues.
Sipas policisë, deri më tani nuk është evidentuar asnjë rast i vendosjes së lëndëve shpërthyese në ambientet e institucioneve.
Ndërkohë, nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit po vijojnë hetimet për identifikimin e burimit të mesazhit dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Përmbajtja e Emailit
Në mesazhet e dërguara 150 adresave te disa institucioneve, autori prezantohet si “udhëheqës i milicisë serbe” dhe përdor gjuhë kërcënuese ndaj institucioneve që kanë marrë komunikimet.
“Përshëndetje. Jam udhëheqësi i Milicisë Serbe. Kemi ardhur të hakmerremi ndaj jush.
Sapo kam vendosur personalisht një mjet shpërthyes në ndërtesën tuaj. Shpërthimi do të ndodhë pas një ore.
Nga ju do të mbeten vetëm copa mishi. Do të vrasim shqiptarë derisa ta njihni Kosovën si territor të Serbisë. FAT TË MBARË”.- ishte përmbajtja e kërcënimit.













