Pse duam të dimë kaq shumë për jetën intime të njerëzve që në fakt nuk i njohim? Dr. Sheri Meyers, terapiste çiftesh dhe eksperte e marrëdhënieve, seksit dhe tradhtisë, ka analizuar prej vitesh pikërisht këtë fenomen, duke komentuar edhe disa prej skandaleve më të bujshme të Hollywood-it në media si ABC News, NBC dhe Fox. Duke analizuar skandalin e Tiger Woods për ABC News, Meyers renditi ndër arsyet e tradhtisë “the thrill”, emocionin dhe eksitimin e të bërit diçka të ndaluar, si dhe “ego boost”, nevojën për t’u ndier i dëshiruar dhe për të marrë një konfirmim të egos.
“Sepse mundem. Është emocioni. Është një rritje e egos”, shpjegonte ajo, duke shtuar se arsyet pse njerëzit tradhtojnë janë shumë më komplekse sesa një listë e thjeshtë. Dhe pikërisht këtu mund të gjendet edhe një pjesë e përgjigjes për publikun: ne tërhiqemi nga ajo që është e fshehtë, e ndaluar dhe e paarritshme. Seksi dhe tradhtia janë pjesë private të jetës dhe kur një sekret i tillë i përket një personazhi të famshëm, kureshtja bëhet edhe më e madhe. Ne kemi krijuar një imazh publik për atë njeri dhe papritur zbulojmë një realitet që nuk përputhet me të. Është përplasja mes figurës publike dhe jetës private që e bën skandalin kaq të fuqishëm.
Por ka edhe diçka tjetër: krahasimi me veten. Kur shohim një martesë të famshme që tronditet nga një aferë, pyesim veten në mënyrë të pavetëdijshme: “Po unë çfarë do të bëja?”, “A mund të më ndodhte edhe mua?” ose “A është vërtet kaq perfekte një marrëdhënie që duket perfekte nga jashtë?”. Historia e dikujt tjetër bëhet kështu një mënyrë për të reflektuar mbi marrëdhëniet tona.
Pastaj kureshtja ndizet edhe më tej. Kush e dinte? Sa kohë zgjati? Kush ishte personi i tretë? Si u zbulua? Çfarë ndodhi më pas? Publiku nuk kërkon vetëm faktin e tradhtisë, por historinë pas saj. Dhe sa më shumë detaje dalin, aq më shumë lind dëshira për të ditur edhe të radhës. Në rastin e VIP-ave, ekziston edhe kontrasti i fortë mes famës dhe dobësisë njerëzore.
Njerëzit që shohim të bukur, të pasur, të suksesshëm dhe të paarritshëm përballen me të njëjtat tundime, pasiguri dhe dëshira si pjesa tjetër e shoqërisë. Për pak çaste, fama zhduket dhe mbetet vetëm njeriu. Ndoshta kjo është arsyeja pse skandalet seksuale nuk na interesojnë vetëm për seksin.