Policia e Fierit ka ekzekutuar 14 masa sigurie ndaj personave të dyshuar për ushtrim të palicencuar të veprimtarive financiare, në kuadër të operacionit të koduar “Transaksioni 2”.
Mes tyre, 11 persona janë vendosur në arrest shtëpie, ndërsa për tre shtetase të tjera janë caktuar masa për ndalimin e daljes jashtë shtetit dhe detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.
Personat ndaj të cilëve është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” janë: Etland Dhamo, Hasan Shametaj, Enis Ikonomi, Admir Iljazi, Laurenc Toska, Luan Zenelaj, Fatmir Dervishaj, Viktor Binaj, Denis Arapi, Rinush Stavri dhe Çlirim Sino.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e personave të përfshirë në hetim dhe në subjekte tregtare, policia ka sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në disa monedha.
Konkretisht, janë sekuestruar 4 milionë e 461 mijë lekë, 92 mijë e 390 euro, 8 mijë e 215 paund, 19 mijë e 22 dollarë dhe 220 franga.
Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej personave ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë sportive të tipit pistoletë, dy mjete prerëse dhe një fishek.
Për këtë shtetas ka nisur procedimi penal edhe për këto sende, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.













