Nobeli për Paqen 2026 i akordohet Navanethem “Navi” Pillay-t, juriste nga Afrika e Jugut. Lajmi erdhi nga Oslo, aty ku Komiteti Norvegjez i Nobelit shpall çdo vit fituesin. Çmimi me vlerë rreth 1.2 milion dollarë, pritet të dorëzohet në Oslo më 10 dhjetor.
Komiteti deklaroi:
Nobeli i Paqes për vitin 2026 i jepet një personi që me guxim dhe integritet të jashtëzakonshëm, ka hapur rrugën drejt një rendi juridik global më gjithëpërfshirës. Fituesja e këtij viti ka luajtur rol kyç në sigurimin e ndjekjes penale për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin.
Përkushtimi i Pillay-t ndaj parimeve universale ligjore dhe busulla e saj e palëkundur morale janë elementë konstantë në një karrierë të gjatë.
E lindur në një familje me origjinë indiane tamile, gjatë regjimit të aparteidit në Durban të Afrikës së Jugut, Pillay u bë avokate dhe pioniere në fushën ligjore, duke u përballur me diskriminim të thellë strukturor, segregacion e përjashtim.
Një fije e përbashkët lidh punën e saj të hershme në mbrojtje të Nelson Mandelës dhe të tjerëve që kundërshtuan aparteidin, me shërbimin e saj si gjyqtare në disa nga çështjet kryesore gjyqësore ndërkombëtare të kohës sonë.
Fituesja e këtij viti ka zgjeruar ndjeshëm fushëveprimin dhe ndikimin e së drejtës ndërkombëtare, deklaroi Komiteti.
Pillay ka shërbyer si gjyqtare në Gjykatën e Lartë të Afrikës së Jugut, në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ruandën dhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Ka qenë Komisionere e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe deri vonë, ka kryesuar Komisionin e Pavarur Ndërkombëtar Hetimor të OKB-së për Territoret e Pushtuara Palestineze.
Aktualisht, Navi Pillay është gjyqtare në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në çështjen ku Mianmari akuzohet për gjenocid.
Navi Pillay është një nga mbrojtëset e mëdha të parimeve ligjore ndërkombëtare të kohës sonë. Karriera e saj e shquar na kujton nevojën për të mbështetur, forcuar dhe zgjeruar sundimin global të ligjit.
Përkushtimi i Navi Pillay-t ndaj drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor është burim shprese dhe frymëzimi për të gjithë ata që përpiqen të krijojnë një botë më paqësore.