Një 17-vjeçar është arrestuar dhe një bashkëmoshatar i tij është proceduar penalisht, pasi u kapën me doza të dyshuara kokaine dhe kanabisi në lagjen “Pavarësia”, në Vlorë.
Operacioni policor i koduar “Shkolla të pastra” u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, pas informacioneve operative se dy persona dyshohej se do të shisnin lëndë narkotike pranë shkollave të qytetit.
Sipas Policisë, 17-vjeçari, banues në Orikum, u konstatua duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi, ndërsa bashkëmoshatari i tij, banues në Dukat, do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë.
Gjatë kontrollit të automjetit dhe kontrollit fizik ndaj dy të miturve, efektivët gjetën dhjetëra doza të lëndëve të dyshuara narkotike, kokainë dhe Cannabis Sativa.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dozat e dyshuara të narkotikëve, automjeti që drejtohej nga 17-vjeçari pa leje drejtimi, si dhe tre telefona celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.













