web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Absurdi i KLGJ-së: 38 gjyqtarë të rinj pa emërim e pa pagë, ndërsa gjykatat janë në krizë të thellë

9 Tetor 2026, 11:43, Opinione Eduard Halimi

Absurdi i KLGJ-së: 38 gjyqtarë të rinj pa emërim e pa

Le të flasim për drejtësinë!

63 magjistratë përfunduan këtë vit Shkollën e Magjistraturës, prej të cilëve 38 gjyqtarë të rinj. Kanë kaluar më shumë se tre muaj nga diplomimi dhe këta të rinj vazhdojnë të presin emërimin. Pa punë. Pa pagë. Pa një përgjigje bindëse nga institucioni që ka detyrimin ligjor t’i emërojë. Ndërkohë këta të rinj paguajnë për kredi, qira e kosto jetese pasi kanë përballuar vetë apo nga prindërit shkollimin.

Gjykatat, nga ana tjetër, janë të mbingarkuara, vuajnë nga mungesa e gjyqtarëve dhe mijëra qytetarë presin me vite për një vendim gjyqësor.

A nuk është ky një absurd institucional?! A nuk është kjo një heshtje arbitrare?!

Ligji nr. 96/2016 nuk e ka lënë emërimin e magjistratëve në dëshirën e KLGJ-së. Nenet 35, 39 dhe 40 parashikojnë afate dhe rregulla të qarta dhe të shpejta për caktimin e tyre. Për ata që mendojnë ndryshe le të shohin Komentari Elektronik në website-in e Shkollës se Magjistraturës për nenin 35, ku në pikat 30 dhe 31, shpjegon qartë se "bursa e Shkollës së Magjistraturës ndërpritet në fund të qershorit, ndërsa pagesa si magjistrat lidhet me emërimin dhe buxhetin e gjykatës ku është bërë emërimi. A është parashikuar shmangia e kësaj shkëputjeje?

Plotësisht dhe është diskutuar 10 vjet më parë duke parashikuar problemin dhe u krijua mekanizmin për ta shmangur. Ndoshta nuk kishim parashikuar këtë lloj KLGJ. Tani kush mban përgjegjësi për këtë vonesë?

U thonë këtyre djemve dhe vajzave se duhet ta harrojnë Tiranën dhe Durrësin se ato janë gjykata karriere, ndërkohë që janë këto gjykata që vuajnë më shumë nga mungesa, sepse kjo KLGJ nuk e ka bërë detyrën.

Dhe po, janë qytetarët dhe bizneset që po vuajnë më shumë në këto qytete. 2 vjet priti një qytetar që iu prish godina nga shpronësimi vetëm që të caktohet data, 2 vjet një tjetër për të perfunduar në Shkallë të Parë, 5 vjet në Apel dhe ende nuk ka një datë gjykimi.

Përse të mos caktohen këtë vit të paktën 20% e gjyqtarëve të rinj në Tiranë e në Durrës, aty ku ngarkesa gjyqësore dhe nevoja për gjyqtarë janë alarmante? Në kohë krize nuk duhen burokraci. Dhe nëse anëtarët që po u mbaron mandati mendojnë ndryshe, antarët e rinj të KLGJ-së (për të cilët votuan edhe 38 magjistratët e rinj) duhet të rishikojnë urgjentisht politikën e rezervimit të vendeve në këto gjykata për gjyqtarët e karrierës.

Në një situatë krize duhen vendime të shpejta, të matura dhe efikase.

Rregullat e karrierës duhet t’i shërbejnë drejtësisë, jo të bëhen pengesë për funksionimin e saj, qoftë edhe të përkohshme për këtë vit.

KLGJ është institucion kushtetues i pavarur, i krijuar pikërisht për të garantuar mirëfunksionimin e gjyqësorit dhe jo ndërlikimin e tij siç bënë antarët e vjetër me hartën gjyqësore! Por pavarësia institucionale nuk është imunitet nga përgjegjshmëria dhe llogaridhënia!

Komisionet parlamentare përgjegjëse dhe partnerët ndërkombëtarë që kanë mbështetur reformën në drejtësi, veçanërisht European Union in Albania dhe Council of Europe Office in Tirana, duhet të kërkojnë me urgjencë transparencë dhe zgjidhje konkrete, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit.

Nuk mund të investohen miliona euro për të ndërtuar një sistem drejtësie dhe pastaj të tolerohet që institucioni përgjegjës të lërë gjyqtarët e rinj pa emërim e pa pagë, ndërsa gjykatat janë në një krizë reale dhe nuk përballojnë ngarkesën!

Dhe një mesazh për 38 gjyqtarët e rinj: Mos heshtni! Mos u intimidoni!

Ju keni studiuar 8 vjet (5 FD + 3 SHM) për të mbrojtur ligjin dhe të drejtat e qytetarëve. Filloni duke mbrojtur të drejtat tuaja!

Kërkoni zyrtarisht suport nga partneret. Kërkoni respektimin e afateve ligjore dhe vendimmarrje të arsyetuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Nëse të drejtat tuaja vijojnë të shkelen, kërkoni rivendosjen e tyre dhe përgjegjësinë ligjore të atyre që po shkaktojnë shkeljen. Nuk ka pse heshtja e KLGJ-së të shihet si një çështje harrese administrative.

Nëse dëshironi të jeni shembull për brezat e ardhshëm, mos lejoni që të qëndroni muaj të tërë pa punë e pa pagë. Si ish-student i brezit të parë, luftuam që magjistratët të emëroheshin mbi bazën e meritës: më vonë, këtë parim e shndërruam në ligj, kur na u dha mundësia. Tani është përgjegjësia juaj të kërkoni zbatimin e ligjit dhe eliminimin e shkëputjes, të ngrini zërin dhe të mbroni jo vetëm veten, por edhe dinjitetin e të ardhmen e brezave që vijnë!

Një magjistrat i ri që nesër duhet të mbrojë qytetarin nga arbitrariteti, nuk duhet të heshtë përballë arbitraritetit që mund të cenojë të drejtat e tij!





13:36 Opinione Edison Ypi

Bordello

Muzikën na e kompozon kurvari me ofshama seksi. Tekstin e ...

10:52 Opinione Agim Xhafka

DJE NË MBRËMJE

Sa kishte rënë muzgu. Isha gati të bëja një shëtitje nga p...

Lajmet e fundit nga