Çmimet e ushqimeve vijojnë të rëndojnë buxhetet e familjeve shqiptare, që thonë se po shkurtojnë shpenzimet. Inflacioni u rrit në 2.8 për qind në shtator, ndërsa ushqimet u shtrenjtuan edhe më tej. Ekspertët kërkojnë më shumë prodhim vendas për të ulur varësinë nga importet.
“Duke e shtrënguar rripin. Nga muaji në muaji i bëjmë ndonjë brimë më shumë që të shtrëngohemi sa më tepër. S’ke ça të bësh”, thotë një qytetar.

Çmimet e ushqimeve dhe produkteve të tjera po rriten këtë fillim-vjeshtë. Për muajin e shkuar, INSTAT vlerëson se inflacioni, treguesi i zhvlerësimit të parasë përballë shtrenjtimit të jetesës ishte 2.8 për qind nga 2.4 për qind shtatorin e një viti më parë.
Në krahasim me gushtin, shtrenjtimi e ka ngadalësuar disi ritmin.
“Ja kemi blerë spinaq e do bëjmë Burani. Ne mirë që na ndihmojnë fëmijët se me këto çmime do kishim ngordhur për bukë”, shprehen qytetarët.

Pavarësisht se në treg pati prodhim vendas, inflacioni tek ushqimet dhe pijet muajin e shkuar u rrit në 2.8 për qind nga 1.8 për qind një vit më parë. Treguesi mbeti i pandryshuar në raport me gushtin.
“Duke parë edhe pjesën e turizmit që po na rritet goxha, do të ishte një gjë e mirë për ne sikur të ktheheshin pak sytë te bujqësia. Do ndihmonte ekonominë, fermerët, pra të gjithë ne. Do plotësonte nevojat edhe për turizmin, por edhe për konsum të brendshëm”, thotë Ilir Pilku, ekspert i sektorit bujqësor.
Për shkak edhe të lënies së tokës “djerrë”, si pasojë edhe e braktisjes nga njerëzit sot vendi po varet thuajse tërësisht nga importi.

“Së pari prodhimi ynë bujqësor duhet të strukturohet më mirë dhe t’i përshtatet ndryshimeve klimatike. E para duhet të dalim me prodhim shumë më herët dhe e dyta në kulmin e sezonit turistik veror që është në muajt korrik e gusht ne duhet të kemi sa më shumë prodhim vendas”, thotë Pilku.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë se nga 1.8 për qind në shtator 2025, muajin e shkuar inflacioni te lëndët djegëse u rrit në 2.7 për qind. /A2 CNN













