Me 165 vota, Antoneta Sevdari është rikthyer në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, duke u zgjedhur si një nga anëtaret e KLP-së nga radhët e Prokurorisë së Përgjithshme. Anëtarja e dytë është zgjedhur Afërdita Ndoi nga prokuroritë e apelit. Ndoi arriti të merrte 160 vota.  Ndërkohë anëtarja e tretë është zgjedhur Eloida Goxhi nga prokuroritë e shkallës së parë, me 148 vota.

Në fjalën e tij para mbledhjes, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ngriti shqetësimin për situatën e vështirë në të cilën ndodhet prej vitesh sistemi i prokurorisë, për shkak të mungesës së prokurorëve dhe mbingarkesës me dosje.

“Prokuroria është duke kaluar një periudhë tejet të vështirë prej disa vitesh, për shkak të vakancave në organikë dhe mbingarkesës së punës të krijuar si rrjedhojë e tyre. Ka qenë kontributi dhe sakrifica e gjithsecilit prej jush që ndihmoi në evitimin e kolapsit që rrezikonte sistemin e prokurorisë dhe përshtatjen graduale me organizimin e ri”, vijoi Çela.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga kryeprokurori lidhet me pagat e magjistratëve. Çela kërkoi një zgjidhje përfundimtare për trajtimin financiar të tyre, përmes dialogut mes institucioneve dhe në përputhje me standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese.

“Ka nevojë që të gjejë një zgjidhje përfundimtare çështja e trajtimit financiar të magjistratëve. Për këtë nevojitet një dialog real dhe konstruktiv mes të gjitha palëve, që synon zgjidhjen e problemit dhe jo shtyrjen e tij përmes vendimmarrjeve që nuk respektojnë standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese”, tha Cela.

Sokol Stojani (përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme) - zëvendësohet nga Antoneta Sevdari
Ledina Riza (përfaqësuese e prokurorive të apelit) - zëvendësohet nga Afërdita Ndoi
Zeqir Hoda (përfaqësues i prokurorive të shkallës së parë) - zëvendësohet nga Eloida Goxhaj