Berisha zbulon kur do të shpallë PD kandidatët për zgjedhjet lokale: Kemi nisur përgatitjet

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale, ndërsa ka bërë të ditur se partia ka nisur përgatitjet për procesin zgjedhor.
I pyetur nga gazetarja e Vizion Plus, Olta Blaceri, se kur do të shpallë PD kandidatët pas miratimit të hartës së re territoriale, Berisha u shpreh se demokratët do të vijojnë paralelisht edhe betejën politike kundër qeverisë.
“PD ka filluar përgatitjet. Por PD do vazhdojë betejën në të gjitha frontet. Ne jemi në kushtet e një diktature autoritare, e cila nuk përfill Kushtetutën, nuk përfill rregulla, nuk përfill detyrimet ndërkombëtare që kemi ne në procesin e integrimit. Por ne e kemi bërë të qartë se kemi zgjedhur veprimtarinë brenda institucioneve. Dhe ne, nuk ka mëdyshje, do marrim pjesë në zgjedhje”, deklaroi Berisha.
Presidenti i Republikës pritet të dekretojë datën e zgjedhjeve vendore deri më 7 nëntor. Ndërkohë, pas miratimit të reformës administrativo-territoriale, zgjedhjet e ardhshme pritet të zhvillohen me hartën e re, e cila parashikon 46 bashki në vend.




