Për incidentet në Kuvend gjatë votimit të reformës territoriale, Partia Socialiste kërkoi përjashtimin me 60 ditë të kreut të grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi dhe po aq ditë për deputetin demokrat Klevis Balliu.

Ka pasuar reagimi i Gazment Bardhit që sfidon Kuvendin të përdorë çdo mjet, por asgjë nuk do ta shuajë frikën e kryeministrit Rama. Shefi i grupit të PD thotë se Rama është i vetmi kryeministër që ka nevojë për votën e Ballukut për të fshirë 15 bashki dhe se prej 13 vitesh, ka braktisur e dhunuar qytetarët.

“Jo 60 ditë, por bëjini 4 vjet! Shkelni rregulloret dhe Kushtetutën! Bëni gjithçka që keni në dorë. Prapëseprapë, frikën e Edi Ramës nuk keni për ta zhdukur dot.

Edi Rama është i vetmi kryeministër që ka nevojë për votën e një personi të akuzuar për korrupsion, si Belinda Balluku, për të shkatërruar jetën e qytetarëve dhe për të fshirë nga harta 15 bashki. Është i vetmi kryeministër në botë që shkon në Kuvend për të votuar, i rrethuar nga 40 efektivë të Gardës së Republikës. Sepse ai e di më mirë se kushdo se llogaritë nuk i ka me deputetët e opozitës, por me qytetarët, të cilët i ka braktisur dhe i ka dhunuar prej 13 vitesh!”, shkruan Bardhi.

Vendimi do të merret të hënën nga Sekretariati i Etikës, në mbledhjen që do të mbahet në 10:30. PS evidenton në kërkesën e saj, se Bardhi dhe Balliu gjuajtën me shishe me ujë dhe me vezë në drejtim të kryeministrit Edi Rama, dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Për disa minuta seanca u kthye në një kaos pikërisht në momentin që socialistët nisën të votonin për hartën e re territoriale.

Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë