Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Sali Berishës, duke deklaruar se masa e detyrimit për paraqitje ndërhyn në lirinë e lëvizjes, por ia kaloi topin Gjykatës së Lartë për t’u shprehur nëse masa ndaj ish-kryeministrit është apo jo e përshtatshme.
Duke pranuar pjesërisht kërkesën e ish-kryeministrit, tetë gjyqtarët kushtetues vendosën, pas dy seancash maratonë, ta dërgojnë çështjen sërish në Gjykatën e Lartë, pasi kjo gjykatë nuk u ka dhënë përgjigje pretendimeve të kërkuesit.
Ky është një qëndrim i përsëritur nga Kushtetuesja, e cila edhe më herët, në rastin e Erion Veliajt, përfshiu në këtë proces Gjykatën e Lartë.
Si Veliaj, ashtu edhe Berisha janë të pandehur në gjykime të veçanta pranë Gjykatës së Posaçme dhe të dy i bashkoi në Kushtetuese pretendimi për cenimin e të drejtave për një proces të rregullt.
Ndryshimi në rastin e Berishës është se ai është kreu i Partisë Demokratike dhe për një kohë të gjatë qëndroi nën arrest shtëpiak, masë që u zëvendësua nga gjyqtari Engert Pëllumbi me detyrimin për paraqitje, e cila nuk u shfuqizua nga Kushtetuesja.
Kjo do të thotë se Berisha do të paraqitet dy herë në muaj pranë SPAK-ut.
Aktualisht, dosja “Partizani”, ku Berisha është i pandehur, është bllokuar, ashtu si dhjetëra procese të tjera, pas bojkotimit të avokatëve, të cilët po protestojnë kundër rregullores së GJKKO-së.
Top Channel