Dikur tifozët, sot lojtarët, Vllaznia duket se ka mbetur me biçikletë…
Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi kanë shkruar një nga kapitujt më të jashtëzakonshëm të historisë së futbollit.
Për më shumë se një dekadë, dy yjet kanë dominuar skenën ndërkombëtare, duke rivalizuar për trofe, rekorde dhe çmime individuale, por edhe duke i dhuruar tifozëve përballje që do të mbeten gjatë në kujtesë. Sot, të dy vijojnë të jenë në qendër të vëmendjes për zhvillimet që lidhen me të ardhmen e tyre në kombëtare. Cristiano Ronaldo është përfshirë në diskutime pas çështjes që lidhet me Jesus dhe largimit të tij nga detyrat me Portugalinë, ndërsa Lionel Messi ka rikthyer vëmendjen te e ardhmja e tij me Argjentinën, pas deklaratave për tërheqjen nga përfaqësuesja.
Megjithatë, përtej lajmeve të momentit, historia e tyre mbetet e lidhur ngushtë me rivalitetin që për vite me radhë elektrizoi futbollin botëror. Përballjet mes tyre nuk ishin thjesht ndeshje mes dy lojtarëve, por ngjarje që tërhiqnin vëmendjen e miliona tifozëve në mbarë botën.
Messi kundër Ronaldos, statistikat e një rivaliteti historik
Sipas statistikave të përmbledhura në bilancin e përballjeve të tyre, Messi dhe Ronaldo janë ndeshur në 36 takime zyrtare, ndërsa kanë qenë kundërshtarë edhe në një miqësore mes Paris Saint-Germain dhe një përzgjedhjeje yjesh nga Arabia Saudite. Në këto përballje, argjentinasi ka realizuar 22 gola, ndërsa portugezi 21. Një diferencë minimale që pasqyron më së miri ekuilibrin e rivalitetit mes dy prej futbollistëve më të mëdhenj të epokës moderne.
Sa u përket rezultateve, Messi ka regjistruar 16 fitore ndaj skuadrave të Ronaldos, ndërsa portugezi ka dalë fitues në 11 raste. Nëntë ndeshje të tjera janë mbyllur në barazim. Edhe miqësorja e zhvilluar në Arabinë Saudite, ku PSG-ja u përball me një përzgjedhje yjesh të kampionatit saudit, ofroi spektakël. Skuadra franceze fitoi 5-4, Ronaldo shënoi dy gola, ndërsa Messi realizoi një herë.
Nga El Clásico te finalet e Champions League
Pjesa më e madhe e rivalitetit u ndërtua në Spanjë, ku Messi me Barcelonën dhe Ronaldo me Real Madridin u përballën në ndeshje që shpesh përcaktonin fatin e kampionatit dhe të trofeve të tjerë. Në totalin e ndeshjeve të përmendura në bilancin e tyre, 18 përballje i përkasin La Ligës, gjashtë Ligës së Kampionëve, pesë Kupës së Mbretit dhe pesë Superkupës së Spanjës. Dy takime të tjera kanë qenë miqësore ndërkombëtare mes Portugalisë dhe Argjentinës.
Një nga momentet më të paharrueshme ishte finalja e Champions League e vitit 2009, kur Barcelona mposhti Manchester United me rezultatin 2-0 dhe Messi shënoi golin e dytë. Në vitin 2011, argjentinasi ishte sërish protagonist në gjysmëfinalen e Champions League kundër Real Madridit, duke realizuar dy gola në fitoren 2-0 të Barcelonës në ndeshjen e parë. Ronaldo, nga ana tjetër, la gjurmën e tij në shumë prej dueleve të drejtpërdrejta, përfshirë finalen e Kupës së Mbretit në vitin 2011, kur shënoi golin vendimtar në minutën e 103-të dhe i dha Real Madridit fitoren 1-0 ndaj Barcelonës.

Golat dhe momentet që nuk harrohen
Vitet 2011 dhe 2012 sollën disa prej përballjeve më spektakolare mes dy yjeve. Në Superkupën e Spanjës, Messi dhe Ronaldo shkëmbyen gola në të dyja ndeshjet, ndërsa në tetor të vitit 2012 realizuan nga dy herë në barazimin 2-2 mes Barcelonës dhe Real Madridit. Një tjetër ndeshje e paharrueshme ishte ajo e marsit 2014, kur Barcelona fitoi 4-3 në fushën e Real Madridit. Messi realizoi tre gola, ndërsa Ronaldo shënoi një herë, në një duel që konfirmoi edhe një herë nivelin e jashtëzakonshëm të të dy futbollistëve. Rivaliteti vazhdoi edhe pas largimit të Ronaldos nga Reali. Në dhjetor të vitit 2020, portugezi u rikthye në Barcelonë me fanellën e Juventusit dhe shënoi dy gola në fitoren 3-0 të skuadrës italiane në Champions League.
Një rivalitet që shkoi përtej futbollit
Për vite me radhë, tifozët janë ndarë mes dy emrave, duke krahasuar statistikat, trofetë dhe aftësitë e tyre. Por, pavarësisht debatit të pafund për atë se kush është më i miri, Messi dhe Ronaldo kanë dëshmuar respekt të ndërsjellë dhe kanë vendosur standarde që do të jenë të vështira për t’u arritur. Njëri është simbol i magjisë teknike dhe vizionit të jashtëzakonshëm, tjetri i ambicies, fuqisë dhe instinktit të golit. Të dy kanë lënë një trashëgimi që nuk matet vetëm me numra, por edhe me ndikimin që patën te futbolli dhe te miliona tifozë. Ndoshta pikërisht kjo është arsyeja pse rivaliteti Messi-Ronaldo vazhdon të diskutohet edhe sot: sepse për një brez të tërë, futbolli pati privilegjin të shihte dy gjigantë të luanin në të njëjtën epokë.
Top Channel