Në qendër të qytetit të Fierit, disa pika të këmbimit valutor që ushtronin aktivitetin pa licencë, sot ishin të mbyllura pas një operacioni.
Ato ishin pjesë e 14 pikave të këmbimit valutor që ushtronin aktivitetin pa licencë dhe që u goditën gjatë operacionit policor të koduar “Transaksioni 2”. Për 11 prej pronarëve të tyre, disa prej të cilëve me banim edhe në Tiranë, gjykata caktoi masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Për 3 gra u caktuan masat “Detyrim paraqitjeje” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.
EMRAT
Etland Dhamo
Hasan Shametaj
Enis ikonomi
Admir Iljazi
Laurenc Toska
Luan Zenelaj
Fatmir Dervishaj
Viktor Binaj
Denis Arapi
Rinush Stavri
Çlirim Sino
Për qytetin e Fierit, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, janë lëshuar 38 licenca për pika të këmbimit valutor. Mbetet ende e paqartë prej sa kohësh 14 pikat e palicencuara ushtronin aktivitetin.
Gjatë kontrolleve në biznese dhe në banesat e personave nën hetim, policia sekuestroi 4 milionë e 461 mijë lekë, 92 mijë e 390 euro, 8 mijë e 215 paund britanikë, 19 mijë e 22 dollarë amerikanë dhe 220 franga zvicerane.
Ndërkohë, në banesën e Çlirim Sinos, policia sekuestroi një pistoletë sportive, dy mjete prerëse dhe fishekë. Për këtë arsye, ndaj tij është ngritur edhe akuza e armëmbajtjes pa leje. Të 14 personat nën hetim akuzohen për veprën penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”. Nëse shpallen fajtorë, Kodi Penal parashikon dënim me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet.
Çfarë u sekuestrua nga Policia?
4 461 000 lekë;
92 390 euro;
8 215 paund;
19 022 dollarë;
220 franga;


